Taravari vazhdon fushatën në Veles dhe Vrapçishtë
Kandidati presidencial i koalicionit “Vlen”, Arben Taravari, ka qëndruar në Veles ku ka vazhduar aktivitetet parazgjedhore. Ai me këtë rast ka vizituar tregun, ka takuar edhe disa afaristë, si dhe ka vizituar xhaminë. Qytetarët i kanë thënë Taravarit se po jetojnë me vështirësi, ndërsa ai theksoi se pjesë e programit të tij presidencial është edhe ekonomia. Mendimet e qytetarëve për politikat ekonomike, por edhe për politikën në përgjithësi janë shumë të rëndësishme, tha Taravari. Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, Taravari ka qëndruar mbrëmë edhe në komunën e Vrapiçishtës, ku me iniciativë të rinistëve të këtij koalicioni, ka realizuar një aktivitet sportiv shëtitje me biçikleta në disa shtigje të kësaj komune.
“Të vizitojmë Velesin dhe disa vendbanime rreth Velesit, kaluam xhaminë e Velesit, pastaj në tregun e qytetit dhe tani të bisedojmë dhe bashkëbisedojmë edhe me bizneset e vogla dhe me qytetarët e këtij qyteti. Uroj të kemi takime të mira, do të kërkojmë mbështetje, por edhe të marrim fidbekun prej qytetarëve për qëndrimet e tyre dhe mendimet e tyre për politikat aktuale në shtet. Me iniciativë të forumit rinor të VLEN-it të degës së Vrapçishtës, një aktivitet sportiv edhe atë me biçikleta, do të lëvizim nëpër disa shtigje që janë interesante dhe shumë të këndshme në këtë rajon.”, – deklaroi kandidati për president i koalicionit “Vlen”, Arben Taravari.
Gjatë qëndrimit në komunën e Vrapçishtës, Taravari ka takuar edhe qytetarët, të cilëve u ka shpalosur programin presidencial.