Osmani nga tubimi në Çair: Forca të zeza shoviniste po kërkojnë 61 deputetë
Kandidati për president i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, ka kërkuar mbrëmë mbështetjen e banorëve të Çairit. Ai me këtë rast theksoi se këto zgjedhje nuk janë ndërmjet partive politike apo ndërmjet disa kandidatëve, por si rrallë herë duhet të zgjidhni ndërmjet dy vizioneve të mëdha, ndërmjet vizionit të integrimit dhe vizionit të izolimit, ndërmjet konceptit të bashkëjetesës dhe konceptit të urrejtjes ndëretnike, ndërmjet konceptit të zhvillimit dhe rrëshqitjes mbrapa në të kaluarën. Vizionin e izolimit dhe urrejtjes e përfaqëson VMRO-DPMNE-ja, tha Osmani.
“Sot keni forca politike të zeza të cilat duan të instalojnë nacionalizmin dhe shovinizmin e 61-shit për të na përjashtuar nga vendimmarrja, për t’u hakmarrë shqiptarëve për barazinë e arritur, për t’i përjashtuar turqit nga çdo vendimmarrje, për t’i përjashtuar boshnjakët dhe romët, që zëri i tyre të mos dëgjohet në krijimin e politikave të tyre. Por, forcat e zeza nacionaliste dhe shoviniste duan që të marrin kontrollin mbi vete dhe nëse i keni parë sloganet e tyre, thonë ta kthejnë dinjitetin.”, – deklaroi kandidati për president i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani.
Ne askujt nuk ia kemi prekur dinjitetin, tha Osmani, duke shtuar se ne e kemi kthyer dinjitetin tonë, e kemi institucionalizuar dinjitetin tonë, e kemi marrë hisen që na takon dhe askujt nuk i kemi hyrë ndërlak.
Osmani sot ka organizuar një debat në Çarshinë e Shkupit, me temën: “Kushtetuta qytetare dhe Kushtetuta e Ohrit”. Gjatë kësaj fushate, Kushtetuta qytetare është bërë pjesë e ofertave alternative, tha Osmani, sipas të cilit këtë e ka iniciuar fillimisht “E Majta”, më pas VMRO-DPMNE-ja dhe së fundmi edhe opozita shqiptare, me tezën se ndoshta është më mirë të hiqen komunitetet nga Kushtetuta dhe të konceptohet një Kushtetutë civile.
Po ashtu, tema e dytë ka qenë çështja e balanserit që po thuhet se duhet të hiqet, pasi ndikon në cilësinë e njerëzve nëpër institucione. Por, Osmani tha se Marrëveshja e Ohrit ka transformuar shtetin nga demokracia e shumicës, ku kishte majorizim të plotë të një komuniteti ndaj komuniteteve tjera, në demokraci konsensuale, ku i ka të gjitha elementet, si çështja e votimit të dyfishtë ose vetoja, si dhe komiteti për marrëdhënie ndëretnike që është dhoma e dytë e Kuvendit, të cilin e përbëjnë 7 deputetë shqiptarë, 7 maqedonas dhe përfaqësuesit e bashkësive më të vogla.