Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski në Prilep promovon integrimet
Kandidati për president i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së, Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti tubim në qytetin e Prilepit, ku njëherit prezantoi vizionin e tij për një shoqëri të bashkuar dhe evropiane gjatë pesë viteve të ardhshme. Duke folur për përfitimet e anëtarësimit të vendit në NATO, Pendarovski tha se të rinjtë do të qëndrojnë dhe përparojnë në vendlindje, pa migruar, vetëm nëse atyre u sigurohen kushte për një jetë të denjë dhe dinjitoze. Kjo është e mundur me anëtarësimin e plotë të vendit në BE dhe me fondet evropiane të dedikuara për të përmirësuar standardin jetësorë të të rinjve, tha Pendarovski.
“Ne duhet të bëjmë çmos pas këtyre zgjedhjeve, me përbërjen e re qeveritare dhe presidentin e ri këtë proces ta zhbllokojmë, sepse nuk na shkruhet mirë nëse nuk e parandalojmë ikjen e të rinjve. Fëmijët tanë të mbesin këtu dhe të prosperojnë, të punësohen të formojnë familjet e tyre, vetëm nëse kanë kushte për një jetë të denjë dhe dinjitoze. Në këtë moment ne kemi bërë përparim të madh krahasuar me 10 vitet e kaluara qoftë në fushën ekonomike, mirëpo pavarësisht kësaj me 640 apo 650 euro pagë mesatare, këto objektivisht mundësitë janë të limituara, ndërsa me qasjen deri tek fondet evropiane jam i bindur se për 4 ose 5 vite të dyfishojmë standardin.”, – theksoi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.
Pendarovski qytetarëve të Prilepit u tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, sepse përballë tij është një opozitë që dëshiron të kthejë vendin mbrapa, duke rinegocionuar për marrëveshjet fqinjësore ndërkombëtare tashmë të nënshkruara, me të vetmin qëllim që vendi të ngecë në rrugën eurointegruese.