Kosovë

Nis konfiskimi i pasurive të Milan Radojçiç- I konfiskohen restoranti dhe banesa

Policia e Kosovës është duke bërë konfiskimin e pasurive të Milan Radojçiçit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për sulmin në Banjskë.

Sot ka nisur konfiskimi i banesës dhe restorantit të Radojçiçit në Mitrovicën Veriore.

Rastin e ka konfirmuar, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Me urdhër të gjykatës konfiskohet restoranti ‘Grey’ dhe banesa në katin e gjashtë të objektit, në pjesën veriore të Mitrovicës. Po ashtu, i konfiskohet vila në Gazivode në Zubin Potok”, tha Elshani për Insajderin.

Ditën e djeshme Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri me dije se ka nisur zbatimin e urdhrit për konfiskimin e pasurive të paluajtshme të Radoiçiç.

“Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska. Agjencia ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin e sipërpërmendur, duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radojiçiq tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me Urdhrin e Gjykatës”, ka shkruar dje Haxhiu në Facebook.