Lajmet e reja

Mbyllen tri pika kufitare me Greqinë, doganierët grekë në grevë

Komunikacioni në vendkalimet kufitare nga Greqia drejt vendeve fqinje, mes të cilave edhe Maqedonia e Veriut, sot dhe nesër do të jetë në ndërprerje për shkak të grevës 48-orëshe të nëpunësve doganorë grekë. Nga Federata e doganierëve thonë se qytetarët të cilët gjatë dy ditëve të ardhshme kanë planifikuar të udhëtojnë në Greqi, mirë do të ishte ta anulojnë udhëtimin e tyre.
Për shkak të grevës dyditore të doganierëve, pritet tërësisht të jetë në ndërprerje komunikacioni në vendkalimet kufitare nga dhe drejt Greqisë për automjetet transportuese dhe çdo lloj të dërgesave, ndërsa e njëjta do të vlejë edhe për veturat. Për automjetet transportuese ekzistojnë përjashtime nëse transportohen dërgesa, të cilat për shkak të ndjeshmërisë duhet menjëherë të transportohen, ndërsa për automobilat nëse bëhet fjalë për pacientë, të cilët urgjentisht dërgohen për mjekim. I lejuar do të jetë vetëm kalimi në këmbë i kufirit, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që në rast të krijohen kolona të automobilave, të ketë kalim të përkohshëm, megjithatë pritja do të jetë me orë.