Maqedoni

Zgjedhjet 2024, partitë drejt finishimit të listave për deputetë

Partitë politike duke finishuar listat e kandidatëve për deputetë. Pjesëmarrësit në zgjedhje do të duhet që deri më 2 prill të dorëzojnë listat e kandidatëve në KSHZ. BDI do të përfshihet në të gjitha gjashtë zonat me kandidatë për deputetë. Mësohet se kryetari Ali Ahmeti do të kryesojë njësinë e gjashtë zgjedhore, të pestën Ziadin Sela. Njësia e parë e prirë nga Blerim Bexheti, Sadulla Duraku bartës në njësinë e dytë. Lista do të ketë edhe në njësinë e tretë dhe katërt të kryesuar nga partitë turke. Nga partia e Ahmetit përgënjeshtrojnë pohimet e VLEN për shkaktim të krizës pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, transmeton TVM2.

“Pohimet e opozitës se “BDI dëshiron të shkaktojë krizë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale”, janë shpifje copy-paste e VMRO-së së Mickoskit. Kjo u dëshmua me deklaratat e fundit të ministrit teknik për Punë të Brendshme, i cili ditë më parë kërkoi prani të shtuar policore në Tetovë dhe Gostivar, në përpjekje për të paraqitur shqiptarët si faktor destabilizues.”, thonë nga BDI.

Të katër partnerët e VLEN pritet të kryesojnë çdonjëra nga një njësi zgjedhore, në të parën, dytën, të pestën dhe të gjashtën.

VMRO promovoi kandidatët për deputetë

VMRO – DPMNE ka promovuar listat e kandidatëve. Kryetari i partisë Hristijan Mickoski kryeson njësinë e parë zgjedhore, të dytën Vllado Misajllovski, prijës i listës në njësinë e tretë është Dragan Kovaçki, Aleksandar Nikollovski bartës në njësinë e katërt, në të pestën Gjorgjija Sajkoski, ndërkaq njësinë e gjashtë zgjedhore e kryeson Dafina Stojanovska.

“Në këto zgjedhje garojmë me emra të ndershëm, njerëz të sinqertë dhe të përkushtuar. Lista për deputetë të VMRO – DPMNE-së dhe koalicionit ‘Maqedonia jote’ është e përbërë me njerëz me integritet tek të cilët un besoj fuqishëm dhe kemi punuar me përkushtim për të ardhur këtu ku vendoset për të ardhmen e Maqedonisë.”, tha kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Listat e kandidatëve të VMRO – DPMNE-së u kritikuan nga LSDM. Nga kjo parti thonë se pjesa më e madhe e kandidatëve janë deputetët aktual.

“Lista e DPMNE-së është listë për bllokime, për heqje dorë dhe kthim mbrapa në izolim. Ata që bllokuan rrugën eropiane të shtetit, patën bllokadë aktive të kuvendit ajën sërish në listën zgjedhore të DPMNE-së. Mbi 80% janë deputetët e njëjtë, frenues të dëshmuar të proceseve.”, tha zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.

LSDM të dielën promovon listat për deputetë

LSDM nesër do të promovoj listat e kandidatëve. Kryetari i partisë Dimitar Kovçevski do të garojë i pari në listë në njësinë e parë zgjedhore. Në njësinë e dytë bartës do të jetë Oliver Spasovski, të tretën Sanja Llukarevska, Venko Filipçe rikthehet bartës në njësinë e katërt, në të pestën kryeparlamentari Jovan Mitreski ndërkaq zonën e gjashtë Sllavjanka Petrovska.