Sonte VMRO-DPMNE “vulos” listat zgjedhore! Mickoski pret epilog pozitiv në mbledhjet e komiteteve
Sot pasdite do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, pas të cilit do të mbahet edhe mbledhja e Komitetit Qendror, kur pritet që udhëheqja e kësaj partie të prezantojë kandidatët për deputetë, përcjell TV21. Kreu i partisë opozitare tha se pret që në të dy nivelet emrat e propozuar të kalojnë pas debatit që do të mbahet ndërsa u shpreh se pret fitore të madhe të VMRO-PDMNE-së dhe koalicionit, si në zgjedhjet presidenciale po ashtu edhe në ato parlamentare.
“Presim debat për listat, të flasim dhe kuptohet pres epilog pozitiv në fillimi në Komitetin Ekzekutiv e më pas edhe në atë Qendror që t’i miratojë listat ashtu siç do t’i propozojë udhëheqja e partisë e më pas normalisht se do t’i marrë vesh edhe publiku. Vlerësoj se kemi vërtetë njerëz të ndershëm, profesionistë, njerëz me dinjitet që me guxim, përkushtim dhe çiltërsi të madhe, e do të thosha edhe afërsi me qytetarin nga vendet nga ku vijnë do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.