Rajon - Botë

Çfarë është uria, kur është shpallur zyrtarisht dhe pse po kërcënon Gazën dhe Sudanin?

Miliona njerëz në Gaza janë në prag të urisë dhe përpiqen të gjejnë ndonjë ushqim. Kombet e Bashkuara (OKB) po paralajmërojnë se lufta e vazhdueshme në Sudan mund të shkaktojë krizën më të keqe të urisë në botë.

Çfarë është uria dhe kur shpallet zyrtarisht?

Zija e bukës ndodh kur një vend ka një mungesë kaq të madhe ushqimi sa që popullsia e tij kërcënohet nga kequshqyerja akute, uria ose vdekja. Ky status zakonisht shpallet nga Kombet e Bashkuara, ndonjëherë në bashkëpunim me qeverinë e vendit në fjalë, dhe shpesh me organizata apo agjenci të tjera humanitare ndërkombëtare.

Uria përcaktohet duke përdorur Klasifikimin e Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore të OKB-së (IPC). Klasifikimi rendit mungesën ushqimore të një vendi – ose pasigurinë e tij – sipas pesë “fazave” të ashpërsisë, me urinë si fazën e pestë dhe më të keqe. Por për të shpallur zyrtarisht një zi buke, tre gjëra duhet të ndodhin në një zonë të caktuar gjeografike:

– të paktën 20 përqind e familjeve përballen me mungesa ekstreme të ushqimit
– të paktën 30 përqind e fëmijëve vuajnë nga kequshqyerja akut
– dy të rritur ose katër fëmijë në një popullsi prej 10,000 për të vdekur çdo ditë “nga uria e drejtpërdrejtë ose kequshqyerja dhe sëmundjet e lidhura”.

Pse Gaza dhe Sudani janë në rrezik nga uria

Sipas OKB-së, uria është e pashmangshme në Gazën veriore dhe mund të ndodhë midis marsit dhe majit 2024. Kjo situatë lind pas disa muajsh konflikti mes Izraelit dhe Gazës, pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Sipas klasifikimit, gjysma e popullsisë është e uritur, rreth 1.1 milion njerëz. Në skenarin më të keq, e gjithë popullsia e Gazës do të vdesë nga uria deri në korrik 2024. OKB tha se Gaza ka “përqindjen më të lartë të njerëzve që përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore”.
Zyrtarët e OKB-së paralajmërojnë gjithashtu se konflikti i vazhdueshëm në Sudan e ka zhytur vendin në “një nga makthet më të këqija humanitare në historinë e fundit”, që mund të shkaktojë krizën më të keqe të urisë në botë.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), gati 18 milionë njerëz në Sudan po përballen me mungesa akute të ushqimit si rezultat i luftës civile që shpërtheu në prill 2023. UNICEF thotë se kequshqyerja tek fëmijët e vegjël është “përtej parashikimeve më të këqija” dhe se ka epidemi të kolerës, lisë dhe malaries.

Cilat vende të tjera kërcënohen nga uria?

Grupi humanitar “Action Against Hunger” bën të ditur se edhe disa vende të tjera kanë nivele mjaft shqetësuese të urisë. Këto përfshijnë Afganistanin, Republikën Demokratike të Kongos, rajonin Tigray të Etiopisë, Pakistanin, Somalinë, Sirinë dhe Jemenin.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka paralajmëruar se Haiti – i cili po kalon një krizë të rëndë politike dhe ekonomike dhe po përballet me përkeqësimin e dhunës së bandave lokale – është në prag të një krize katastrofike urie.

Rreth 1.4 milionë njerëz janë kategorizuar si në prag të urisë, me tre milionë të tjerë nën këtë nivel. Situata e disponueshmërisë së ushqimit në Haiti është përshkruar si alarmante.

Çfarë e shkakton urinë?

Sipas IPC, uria dhe krizat e urisë ekstreme kanë shkaqe të shumta – ato mund të jenë të krijuara nga njeriu, natyrore ose një kombinim i të dyjave. “Action Against Hunger” thotë se konfliktet e armatosura janë shkaku kryesor i urisë në mbarë botën. Në Sudan, ata fajësojnë prodhimin e pamjaftueshëm të ushqimit, i cili nga ana tjetër shkaktoi çmime të larta. Ata gjithashtu deklarojnë se konflikti aktual në Gaza pengon disponueshmërinë e njerëzve me ushqim, karburant dhe ujë, nga të cilat varet jeta në atë territor.

Në pjesën veriore të Gazës, ka një mungesë pothuajse të plotë të aksesit nga organizatat humanitare.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) vëren se thatësira dhe dështimet e të korrave të shkaktuara nga moti ekstrem si rezultat i ndryshimeve klimatike po çojnë në mungesa të gjera ushqimore, veçanërisht në Afrikën Lindore. El Niño – modeli i klimës që përshkruan një ngrohje të pazakontë të sipërfaqeve ujore në Oqeanin Paqësor – tashmë ka një ndikim negativ në furnizimet ushqimore në Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine.

Çfarë ndryshon kur zyrtarisht shpallet zija e bukës?

Shpallja e urisë nuk hap mundësinë e financimit të veçantë. Megjithatë, shpesh shkakton një përgjigje të madhe ndërkombëtare nga OKB-ja dhe qeveritë botërore, të cilat mund të sigurojnë rezerva ushqimore dhe të ndajnë fonde emergjente. Disa agjenci humanitare ofrojnë zgjidhje për kequshqyerjen. Oxfam po punon me partnerët në Gaza për të dërguar kupona dhe para për ushqime dhe furnizime higjienike. WFP, nga ana tjetër, po punon në Sudan për të rindërtuar infrastrukturën, rrugët dhe shkollat.

Ekzistojnë gjithashtu ekipe të lëvizshme të reagimit të shpejtë që arrijnë tek njerëzit në zona të largëta për të ofruar ushqim dhe ndihma të tjera. Shumë agjenci zakonisht japin ndihma përpara se të shpallet zija e bukës, vetëm për të shmangur një situatë të tillë, zakonisht kur vendi klasifikohet si një fazë rreziku të tretë ose më të lartë.

Aty ku u shpall më parë uria

Hera e fundit që u shpall uria ishte në vitin 2017 në Sudanin e Jugut. Pas tre viteve të luftës civile, gati 80,000 njerëz u përballën me urinë dhe një milion të tjerë ishin në prag të urisë. Në atë kohë, OKB-ja theksoi pasojat e luftës në bujqësi. Fermerët humbën bagëtinë e tyre, prodhimi i të korrave u kufizua rëndë dhe inflacioni ishte i shfrenuar.

Zitë e mëparshme përfshijnë ato në Somalinë Jugore në 2011, në Sudanin e Jugut në 2008, në qytetin Gode në pjesën somaleze të Etiopisë në vitin 2000, në Korenë e Veriut në 1996, në Somali në 1991-1992 dhe në Etiopi në 1954.