Kosovë, shënohet 25 vjetori i intervenimit të NATO-s
25 vite më parë, forcat e NATO-S bombarduan Beogradin, me synimin për t’i dhënë fund gjenocidit të regjimit të Sllobodan Millosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Për të kujtuar këtë ditë të rëndësishme për historinë e lirisë së shtetit të Kosovës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.
Me këtë rast presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se 25 vite më parë filloi shpresa e madhe për Kosovën.
“24 marsi vërtet ishte ditë e shpresës së madhe sepse përherë të parë aleancat e botës demokratike u bën bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Millosheviqit dhe së bashku me shumë e shumë shtete partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë dhe atë ditë të çlirimit ne do ta shënojmë me 12 qershor të këtij viti, meqenëse është edhe vit jubilar, 25 vjetori”, u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas saj dita e shpresës së madhe është shndërruar në partneritet të fuqishëm të aleancave. Osmani ka falënderuar të gjithë ushtarët e NATO-së që rrezikun jetën e tyre, po ashtu edhe liderët e botës për lirinë. Presidentja me këtë rast tha se pret që Kosova së shpejti të bëhet edhe pjesë e NATO-s.