Rajon - Botë

Lufta Rusi – Ukrainë: Në Rusi ditë zie, në Ukrainë luftime

Në Rusi, ditë zie për sulmin terrorist në Moskë, në Kiev dhe në Lviv dëgjohen sirenat paralajmëruese ajrore për shkak të bombardimeve ruse me raketat “Kinzhal”. Ukraina pretendon se dy anije të flotës ruse të Detit të Zi janë fundosur nga raketat britanike pranë Krimesë, por këtë e mohon Kremlini. Një nga raketat ruse të lundrimit ka shkelur gjithashtu hapësirën ajrore të Polonisë.

“Objekti në zonën e Lublinit ishte rreth dy kilometra brenda territorit polak. Rusia ka shkelur edhe një herë të drejtën ndërkombëtare, këtë e kam diskutuar me Ministrin e Punëve të Jashtme, janë marrë të gjitha masat e sigurisë, ne mbështesim Ukrainën”, u shpreh ministri i mbrojtjes i Polonisë, Vladisłav Kosiniak Kamish.

Sipas presidentit ukrainas, përshkallëzimi i tensionit ushtarak në rajon është pasojë e përpjekjes së kreut të shtetit rus për të fajësuar Kievin për masakrën në Moskë.

“Si Putini dhe kriminelët e tjerë gjithmonë përpiqen të fajësojnë dikë tjetër. Ata përdorin gjithmonë të njëjtat metoda. Ata shkatërrojnë shtëpitë tona, qëllojnë, bombardojnë dhe fajësojnë dikë tjetër. Ata po djegin qytetet tona dhe Ukraina është fajtore për këtë”, theksoi presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski.

Dënimi i terrorit në Moskë, por edhe kritika për qëndrimin e presidentit francez Makron për vendosjen e mundshme të trupave evropiane në Ukrainë erdhi nga zëvendëskryeministri i Italisë, Mateo Salvini.

“Lejimi i ushtarëve francezë, italianë, austriakë, holandezë dhe portugezë të shkojnë në luftë në Ukrainë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Presidenti Makron me performancat e tij është një kërcënim për vendin tonë dhe kontinentin. Nuk do të doja që fëmijëve tanë t’ua lija Evropën në një luftë të tretë botërore”, u shpreh zv.kryeministri i Italisë, Mateo Salvini.

Në të gjithë Rusinë, qytetarët po vendosin lule për 133 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur në sulmin në Moskë, për të cilin Shteti Islamik ISIS e mori përgjegjësinë.