Skenarët rusë për “destabilizim”, më tepër për fushatë zgjedhore
Çështjet e sigurisë sërish janë bërë temë debati në Maqedoninë e Veriut, pas paralajmërimeve të partive politike, por edhe shërbimeve të huaja për një përshkallëzim të mundshëm, para apo pas zgjedhjeve të dyfishta – parlamentare dhe presidenciale.
Pavarësisht alarmit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë, se opozita – bazuar në skenarë rusë – mund të shkaktojë tensione gjatë zgjedhjeve, konkluzioni i kreut politik dhe atij të sigurisë në Maqedoninë e Veriut është se gjendja e sigurisë është e qëndrueshme.
Paralajmërimi i BDI-së, e cila drejtohet nga Ali Ahmeti, u bë një muaj pas një raporti të komunitetit amerikan të inteligjencës se në vitin 2024 “Ballkani Perëndimor ndoshta do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike”.
“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të përpiqen të rrisin tensionet për shkak të avantazhit të tyre politik. Ndërsa, aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të parandaluar një integrim më të madh të Ballkanit në BE ose institucionet euro-atlantike”, thuhet në raportin e muajit shkurt të Komunitetit të Inteligjencës Amerikane mbi kërcënimet globale.
Kreu i BDI-së, Ahmeti, thotë se rrezikun nga trazirat e sheh nga Rusia, e cila e ndihmuar, sipas tij, nga struktura të brendshme politike, synon destabilizimin për të arsyetuar agresionin në Ukrainë.
“Në një kohë kur qindra mijëra trupa ushtarake janë në lëvizje, kur Rusia po kërcënon paqen botërore me përdorimin e armëve bërthamore, kur Rusia po bën luftë dhe bombardon një shtet sovran – Ukrainën, s’ka se si të jemi të qetë ne në Ballkanin Perëndimor… Sigurisht, Rusia dëshiron të ketë vatra të nxehta kudo për të lehtësuar dhe justifikuar pushtimin e saj të një shteti sovran – Ukrainës”, thotë Ahmeti pa saktësuar se nga i ka informacionet e tilla.
Por, institucionet e Maqedonisë së Veriut, thonë se janë të njoftuara me raportin e shërbimeve të huaja, por nuk presin ndonjë përkeqësim të mundshëm të gjendjes së sigurisë.
“Sa i përket situatës së sigurisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ne po i përcjellim me kujdes të gjitha zhvillimet në vend dhe në rajon, dhe vlerësimi është se situata është stabile”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e presidentit.
Nga Presidenca thonë se kreu i shtetit është i informuar rregullisht për gjendjen e sigurisë, si nga institucionet, ashtu edhe përmes Këshillit të Sigurimit, që është organi i tij këshillues.
Sipas institucioneve maqedonase, paralajmërimet më tepër kanë të bëjnë me zhvillimet në veriun e Kosovës dhe në Bosnjë ku lideri i serbëve, Millorad Dodik që konsiderohet një lider pro-rus, ka kërcënuar disa herë me shkëputje.
Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut thotë se nuk ka indikacione për tensione apo dhunë ndëretnike në vend.
“Gjendja e sigurisë në vend është stabile. Nga perspektiva e një kërcënimi konvencional, Maqedonia e Veriut është një vend i sigurt dhe institucionet janë të përgatitura ndaj çdo sfide të natyrës hibride që mund ta shohim në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë”, thuhen në vlerësimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ekspertët të sigurisë thonë se aktualisht nuk ka sinjale për destabilizim dhe alarmet e tilla janë të tepruara dhe se më tepër kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore.
“Mendoj se vlerësimi mbi ndikimin rus është mbivlerësuar pasi nuk kemi asnjë të dhënë të besueshme se mund të ketë diçka të tillë. Tentime nga Moska për të shtrirë ndikimin ka pasur edhe më herët, por jo deri në atë masë siç alarmohet opinioni. Për BDI-në, mendoj se Rusia do të jetë një narrativ madhor”.
“Zhvendosja e të gjithë fajit te një armik, zakonisht një armiku të imagjinar, është një nga teknikat më të vjetra të propagandës dhe në kohët moderne, të komunikimit politik. Duke marrë parasysh vetë sloganin e BDI-së, [Jo Rusisë Po Evropës] mendoj se do të vazhdojnë që të gjitha forcat e tjera t’i portretizojnë si armiq të vendit dhe me orientim pro-rus”, deklaron Marko Trashanovski, drejtues i Institutit për Demokraci.
Besim Nebiu, njohës i çështjeve politike, duke komentuar paralajmërimet e BDI-së, si një nga partitë më të zëshme për temën me Rusinë, të cilën ka përfshirë edhe në sloganin e saj, thotë se kjo parti po kërkon temë për zgjedhje.
Sipas tij, nëse në zgjedhjet e fundit kjo parti kishte “agjendën e gjelbër” dhe “kryeministrin e parë shqiptar”, tani po tenton ta imponojë “Rusinë”.
“Nuk mendoj se tema funksionon për arsyen e thjeshtë se kundërshtarët e tyre politikë nga blloku politik shqiptar nuk janë për Rusinë. Prandaj, mendoj se me votuesin shqiptar që ka mbi 99 për qind qëndrim kundër Rusisë, përmes kësaj teme, BDI-ja nuk arrin të diktojë narrativën e fushatës, ashtu siç ia doli në zgjedhjet e kaluara”, thotë Nebiu.
Ai mendon se partitë nuk duhet të “taktizojnë” me çështje ndëretnike, tensione apo me tema të ngjashme, por të ofrojnë programe të qarta zhvillimore, për mëkëmbjen e ekonomisë, rritje të pagave apo ngritjen e standardit jetësor, që janë edhe arsyeja kryesore për largimin e shumë të rinjve nga Maqedonia e Veriut./REL