Vuçiq, vendeve perëndimore: kurrë nuk do të mund të na detyroni ta njohim Kosovën
Aleksandar Vuçiq po vazhdon me retorikën e njohur kundër Kosovës, por edhe të gjuhës kërcënuese ndaj vendeve perëndimore.
Presidenti serb së fundi ka publikuar një fotografi personale në rrjetet sociale me një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare për Kosovën.
“Të gjithë në perëndim duhet ta dinë. Ju mund të bëni shumë gjëra, ju jeni më të fortë dhe më të fuqishëm, por kurrë nuk do të mund ta detyroni Serbinë ta njoh fëmijën tuaj, Kosovën”, ka shkruar Vuçiq në Facebook.
Ky reagim vjen vetëm një ditë pasi e shantazoi perëndimin se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare.
“Ju shkoni me këtë dhe pastaj do të shohim nëse Serbia do të qëndrojë në Këshillin e Evropës apo jo”, tha Vuçiq për TV Prva, pasi KiE konfirmoi se kandidatura e Kosovës do të jetë në agjendë në fund të marsit.
“Këtë nuk do ta zbuloni para se ta bëni këtë (pranoni Kosovën në Këshillin e Evropës), kështu që do të shohim. Do të shohim. Ndoshta do t’ju pëlqejë më shumë ta keni Prishtinën, Kosovën në Këshillin e Evropës, sesa Beogradin dhe Serbinë”, tha ai.
Ndryshe, Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.
Kandidatura e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është pranuar në seancën e 24 prillit të vitit të kaluar. Në atë kohë, kandidaturën e Kosovës e përkrahën 33 nga gjithsej 46 shtete anëtare të KE-së. Shtatë vende ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa vetëm një nuk votoi.