Sot në Prilep shënohet 75 vjetori nga themelimi i NATO-s
Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Republikës së Maqedonisë, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, sot me fillim nga ora 15:00, në sheshin “Aleksandria” në Prilep, organizojnë ditë të hapur për qytetarët.
Veprimtaria është pjesë e aktiviteteve për shënimin e 75 vjetorit të themelimit të NATO-s si dhe katër vjet nga anëtarësimi ynë në Aleancë.
Në ditën e hapur, të pranishmit do të kenë mundësinë të njihen me sistemet e artilerisë dhe mjetet e batalionit të artilerisë, armët, pajisjet ushtarake dhe automjetet e disa njësive, duke përfshirë njësitë e këmbësorisë, batalionin e policisë ushtarake, batalionin e komunikimit dhe atë të zbulimit.
Qytetarët do të kenë mundësi të shikojnë edhe aftësitë luftarake të pjesëtarëve të batalionit të forcave speciale dhe aftësitë alpinistike të rojeve nga batalioni i inteligjencës.
Aktiviteti do të monitorohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, nënkolonel Vasko Gjurçinovski dhe përfaqësues nga vetëqeverisja lokale.
Dita e hapur në Prilep është pjesë e manifestimeve të planifikuara që organizohen në shtatë qytete të brendshme dhe në Shkup, me të cilat do të shënohen 75 vjet nga themelimi i NATO-s dhe katër vjet nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.
Paraprakisht në këto manifestime kanë pasur mundësi të marrin pjesë qytetarët e Strumicës, Kavadarit, Shtipit dhe Tetovës, ndërsa ditë të tilla të hapura do të pasojnë në Shkup, Ohër dhe Kërçovë.