Maqedoni

Administrata, studentët e FShIIK-ut në protestë, kërkojnë objekt për zhvillimin e ligjëratave

Studentët dhe drejtuesit e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike pranë “Shën Cirilit dhe Metodit” mbajtën protestë paqësore para Qeverisë, qëllimi i të cilës është t’u tregojnë autoriteteve për nevojën imediate të përmirësimit të kushteve të studimit të studenteve të këtij fakulteti, ligjërata e të cilave zhvillohen nëpër objektet e përkohshme të disa fakulteteve. Problem numër një për ta dhe për administratën e fakultetit është mungesa e objektit të vetë, më shumë laboratori pune për studentët dhe akomodimi i të gjithë studentëve të regjistruar.

“Për momentin jemi mbi 5.000 studentë aktivë. Ligjëratat janë cilësore, mirëpo nuk kemi kushte të mjaftueshme për të zhvilluar mësimin, respektivisht nuk kemi klasa dhe amfiteatro për mbajtjen e ligjëratave. Aktualisht mësojmë nëpër objekte të montuara.”, – tha një studente.

“Edhe këto objekte të përkohshme nuk i kemi të mjaftueshme, për t’i ndjekur të gjitha mësimet. Në të shumtën e rasteve mësojmë në kushte shtëpiake ose na shëtisin nëpër fakultete dhe mësonjëtore të ndryshme.”, – theksoi një student.

“Kemi nevojë për të pasur më shumë laboratori me më shumë kompjuterë, sepse aktualisht laboratoria aktuale mbështet vetëm 240 studentë që realisht është pak, pasi që jemi mbi 5.000 studentë aktiv dhe regjistrohen rreth 1.000 studentë të ri për çdo vit.”, – tha një student tjetër.

Për t’u treguar autoriteteve të ekzekutivit se ata janë pa objekt personal, në protestat e sotme para Qeverisë në mënyrë simbolike mbajtën edhe një seancë të rregullt të Këshillit mësimor – shkencor dhe një orë akademike, ku përveç dekanit dhe prodekanëve, anëtarëve të këshillit të dekanatit ishin edhe drejtuesit e instituteve dhe anëtarëve të zgjedhur nga Parlamenti Studentor. Të gjithë thanë se mbështesin kërkesat e studentëve dhe të punonjësve të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodij” në Shkup dhe u zotuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesa derisa nuk e gjejnë objektin e përshtatshëm për këtë fakultet.

“Kërkesa kryesore që e kemi parashtruar në seancën e djeshme qeveritare është që të sigurohen hapësira shtesë për nevojat e këtij fakulteti, i cili aktualisht po gjendet në kampusin teknik ku do të mund të përshtatim ato hapësira për nevojat e fakultetit dhe nga tetori të fillojmë vitin akademik në një atmosferë pak më relaksuese. Zgjidhja e përhershme mbetet që të bisedojmë në të ardhmen. Ekzistojnë më shumë opsione. Një nga ato është objekti i Ramstorit ose i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë që tashmë ky objekt është në pronësi të shtetit, ku mund të përshtatet në një institucion të arsimit të lartë për ne.”, – theksoi dekani i FShIIK-ut, Boro Jakimovski.

Shaqiri: Po punohet në zgjidhjen e problemit

Numri “një” i ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se po punohet në zgjidhjen e problemit me hapësirat e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, fillimisht duke rishikuar mundësitë për t’i transferuar studimet dhe ligjëratat nëpër objektet e fakulteteve tjera derisa përfundojnë punimet e objektit të ri të FShIIK-ut.

“Ne zgjidhje do të gjejmë, mirëpo në atë zgjidhje unë do të kërkoj që të përfshihet edhe Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” për të parë në fakultete të caktuara se si qëndrojmë me numrin e studentëve dhe nëse shohim se në një fakultet i caktuar ka hapësira të lira duhet të gjejmë zgjidhje në bashkëpunim të ndërsjellë dhe t’i pranojnë studentet e FShIIK-ut. Njëherit u bëjë thirrje Qeverisë dhe ministrisë së Financave me mjete financiare të mbështesin ndërtimin e objektit të ri të këtij fakulteti, i cili ka filluar para disa vitesh”, – u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Protestat paqësore të studentëve pranë këtij fakulteti do të organizohen edhe në të ardhmen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, u tha me këtë rast.