Zgjedhjet, BDI: Anketat flasin se jemi para opozitës
Nga BDI-ja pretendojnë se do të jenë fituesi absolut te elektorati shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Këtë sipas BDI-së e thonë të gjitha anketat e realizuara nga agjencitë relevante në vend, ndërsa BDI-ja del bindshëm para opozitës shqiptare.
“Rezultatet e anketave tregojnë se Fronti Evropian dhe koalicioni “PO Evropës, JO Rusisë” do të ketë dyfishin e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë karshi opozitës shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se fushata e Presidentit në ardhje, Bujar Osmani dhe e shtabit zgjedhor ka vënë standarde të reja evropiane në Maqedoninë e Veriut, ndërsa përpjekjet për denigrimin e çdo të arriture të vendit do të rrënohen më 24 prill dhe më 8 maj, kur qytetarët do të rreshtohen nga e ardhmja evropiane e shtetit.”, thonë nga BDI.
Nga kjo parti kanë reaguar edhe për zgjedhjet presidenciale ruse në territoret jashtë Rusisë, duke theksuar se diktatori Putin, në zgjedhjet ruse të zhvilluara gjithandej, mbështetje më të madhe ka marrë në Maqedoninë e Veriut. BDI-ja thekson se sipas Komisionit zgjedhor të Rusisë, 88.1% e qytetarëve të Rusisë që jetojnë në Maqedoni të Veriut, kanë votuar për Putinin, që është dëshmi se politika ruse është prezente, nuk ka hequr dorë dhe vazhdon të përpiqet çdo ditë e më shumë të rrezikojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rrënojë çdo të arritur të vendit vitet e fundit.