Maqedoni

Prokuroria publike dhe Komisioni për antikorrupsion koordinohen për monitorim efikas të procesit zgjedhor

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, përfaqësues të Prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) kanë mbajtur takim pune me qëllim forcimin e koordinimit ndërmjet dy institucioneve për monitorim efikas të procesit zgjedhor.

Siç kanë informuar sot nga PP, në takimin të drejtuar nga prokurori publik Xhelal Bajrami dhe kryetarja e KSHPK-së Tatjana Dimitrovska, janë shqyrtuar përgatitjet dhe kompetencat e secilit institucion me qëllim të sigurimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe të drejtë. Vëmendje e veçantë i është kushtuar mekanizmave për sanksionimin e çdo tentative për parregullsi.

Bajrami ka theksuar rëndësinë e Komisionit për monitorimin e parregullsive dhe veprave penale lidhur me zgjedhjet, duke sqaruar përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të tij. Ai ka prezantuar edhe procesin e trajtimit të rasteve dhe sistemin e monitorimit të njoftimeve përmes adresës elektronike izbori@jorm.mk

Dimitrovska ka ndarë aktivitetet e KSHPK-së në periudhën parazgjedhore, duke përfshirë edhe përpjekjet për monitorimin e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare nga institucionet.

Që të garantohet transparencë dhe përgjegjësi, Prokuroria publike dhe KSHPK-ja do të mbajnë komunikim të drejtpërdrejtë dhe do të koordinohen gjatë veprimit të të gjitha raporteve për parregullsitë zgjedhore.