Politika ndau nxënësit e Çashkës në baza etnike
Ndarja e nxënësve në objekt të posaçëm shkollor është zgjidhja e problemit për nxënësit shqiptarë të Çashkës. Kjo është marrëveshja e arritur me prindërit maqedonas, të cilët protestuan për disa muaj me radhë duke pamundësuar në këtë mënyrë mësimin shqip në këtë komunë. Në shkollën “Totor Janev” ku nxënësit shqiptarë do të jenë të “padëshiruar” në të ardhmen ishte kryeministri teknik Talat Xhaferi. Ai theksoi se nga viti i ardhshëm shkollor nxënësit shqiptarë do të zhvendosen në objekt të ri, për të cilin nuk ka madje as nismë për ndërtim.
“Siç e dini nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe do vazhdojnë deri në fund të vitit në këtë objekt, në rrjedhë janë procedurat për themelimin e një subjekti të ri të shkollës së re në të cilën do të mësohet në gjuhën shqipe dhe nxënësit nga viti i ardhshëm që mësojnë në gjuhën shqipe nga këto objekte do të transferohen në objektin e ri, në subjekt të veçantë dhe në këtë drejtim është rruga e zgjidhjes së kësaj problematike dhe për atë jemi këtu”, deklaroi Talat Xhaferi – kryeministër teknik.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri ndërkohë thotë se përveç pesë nxënësve shqiptarë të klasës së parë, do të shqyrtohet mundësia që në objektin e ri të transferohen edhe 80 nxënës shqiptarë të cilët aktualisht ndjekin mësimin në gjuhen maqedonase. Objekti i ri shkollor sipas ministrit Shaqiri do te jete në fshatin Banjicë të Çashkës, që është 5 kilometra larg vendit ku u zhvilluan protestat.
“Ato fëmijë që janë atje dhe fëmijët e rinj të cilët do të regjistrohen dhe çdonjëri tjetër që do të ketë nevojë komfort ligjit të arsimit fillor dhe mundësive për të transferuar në bazë të mundësive financiare nga Ministria e Arsimit nuk shoh asnjë lloj pengese ligjore që edhe tjerët nxënës sigurohet kuadro të transferohen”, tha Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari aktual i Çashkes, Goran Stojanovski nuk e sheh si zgjidhje ndarjen e nxënësve në baza etnike. Ndërsa në kohën ku po protestohej kundër mësimit shqip, ai nuk mori masa për bindjen e banorëve maqedonas se ndarjet nuk janë të mira.
“Ndodhen protestat dhe këtu u përzien edhe politikat dhe duke pasur parasysh procesin parazgjedhor”, u shpreh Goran Stojanovski – kryetar i komunës së Çashkës.
A është zgjidhje ndarja apo? Sipas meje, Jo….
Më muaj të tërë nxënësit e shkollës “Todor Janev” u pamundësuan të ndjekin procesin mësimor për shkak të një grupi banorësh të cilët protestonin kundër shkollimit të fëmijëve në gjuhën shqipe. Protestat u ndërprenë me arritjen e marrëveshjes ndërmjet protestuesve dhe qeverisë që nxënësit shqiptarë nga viti i ardhshëm shkollor të largon nga “Todor Janevi” dhe të mësojnë në një objekt që duhet të ndërtohet, 5 kilometra larg komunës. Kjo nuk ishte kërkesa e prindërve shqiptarë, të cilët prej vitesh kërkojnë që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën amtare në këtë shkollë për shkak të afërsisë.