LSDM: VMRO-ja nuk ka mbledh nënshkrime për Siljanovskën
LSDM-ja pretendon se VMRO-DPMNE-ja nuk ka mbledhur nënshkrime të vlefshme ligjore për kandidaten e tyre presidenciale, Gordana Siljanovska Davkova, prandaj kandidaturën e ka dorëzuar në KShZ me nënshkrime të deputetëve. DPMNE-ja, ashtu siç i falsifikon sondazhet, ka dashur të falsifikojë edhe nënshkrimet, andaj kur e kanë kuptuar se do të kontrollohet ligjshmëria e çdo nënshkrimi, nuk i kanë dorëzuar ato, thotë zëdhënësja e LSDM-së, Kuzevska.
“E rëndësishme është se as DPMNE-ja e as Gordana Siljanovska nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve. Qytetarët nuk duan të kthehen dhe të izolohen, nuk janë të gatshëm të mbështesin politikanët antievropianë. Qytetarët nuk kanë nevojë për një president që do të jetë dora e zgjatur e Pallatit të Bardhë, një pasardhës partiak, qytetarët nuk kanë nevojë për një ripërsëritje të Ivanovit.”, – deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska.
VMRO-DPMNE: Pendarovski gënjeu qytetarët
Me reagim të menjëhershëm, edhe nga VMRO-DPMNE. Akuzojnë kandidatin për president të LSDM-së Pendarovski, se i ka gënjyer qytetarët për marrëveshjen “Behtel dhe Enka”, pasi është zotuar se marrëveshjen përveç ministrave do ta negociojnë edhe organizatat e shoqërisë civile, por kjo nuk ka ndodhur.
“Kontrata është nënshkruar, por nuk ka zbatim. Përfundimi është se Pendarovski ka gënjyer edhe për pjesën që marrëveshjen “Behtel dhe Enka”, përveç ministrave do ta negociojnë edhe organizatat e shoqërisë civile, dhe se do të bëhet publike, por kjo nuk ndodhi. Pendarovski u kërcënua se nëse në Kuvend miratohen amendamentet legjislative për 60 orë pune për punëtorët e korridorit, ai nuk do ta nënshkruajë dekretin. Në fund jo vetëm që e ka nënshkruar, por edhe me pafytyrësi u ka dërguar mesazh të gjithëve të ankohen në Gjykatën Kushtetuese.”, – theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
VLEN: Interesi personal zgjeron frontin evropian
Ndërkohë nga VLEN-i e kanë quajtur jo të natyrshëm koalicionin e BDI-së me partinë “Populli” të Skender Rexhepit.
“Kombinimet që bëhen me koalicionimet e zgjeruara, me bashkimin jo të natyrshëm të këtyre partive e dëshmon edhe një herë se frika është në palcë dhe kjo humbje i pret. Nuk është e logjikshme që disa eksponentë në ndër vite kanë krijuar narrativë, janë njohur në popullatë për gjuhën anti-BDI ose anti-PDSh, sot të jenë në një tryezë dhe të bashkëpunojnë. Kjo kryekëput ka të bëjë me interesat e tyre personale.”, – u shpreh Fari Hiseni nga VLEN.
I pyetur se VLEN-i a do të koaliciononte me VMRO-DPMNE-në, Hiseni thotë se është ende herët për të folur mbi koalicionet, me rëndësi e kanë fitoren te shqiptarët e më pas do të mendohet për koaliconime. Nga BDI-ja kanë paralajmëruar zgjerimin e koalicionit edhe me partitë tjera shqiptare në pushtet, me qëllim që në kuadër të Frontit Evropian të sigurojnë fitore për kandidatin e tyre presidencial, Bujar Osmani, dhe zgjedhjet parlamentare.