Maqedoni

Kryetari i Kuvendit Mitreski, organizoi iftar në shenjë solidariteti për muajin e Ramazanit

Në një atmosferë të ngrohtë dhe solidariteti, kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski në shenjë të maujit të Ramazanit organizoi një darkë për iftar. Përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, sekretarja e përgjithshme e Kuvendit Cvetanka Ivanova, deputetët e besimit mysliman përfshirë kryeministrin Talat Xhaferi, u mblodhën për të ndarë darkën e Iftarit, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektit të diversitetit. Në këtë ngjarje të shenjtë për besimtarët myslimanë, u shpreh një mesazh i qartë: respektimi i ndërsjellë të të gjitha formave të besimit dhe jetesës është thelbësor për një shoqëri të shëndoshë dhe tolerante.

Mitreski tha se vetëm përmes kësaj harmonie dhe bashkëpunimi, pavarësisht dallimeve në besim, përkatësi politike, ose etnike, mund të ndërtohet një e ardhme më e begatë dhe e sigurt për të gjithë qytetarët.

“Respektimi i tjetrit, me të gjitha format e besimit, të jetesës dhe të shprehjes, është parakusht për një shoqëri të shëndoshë, për një shoqëri ndëretnike tolerante si e jona. Vetëm në këtë mënyrë, siç jemi sonte, me një fe tjetër, me një tjetër përkatësi politike dhe besim, me një përkatësi tjetër etnike, dhe përsëri së bashku, në të njëjtën tryezë dhe me një dëshirë të përbashkët për një të ardhme të begatë dhe të sigurt, mund të sigurojmë një të ardhme më të bukur dhe më të ndritshme për qytetarët tanë”, u tha Mitreski.

Darka e Iftarit u shërbye si një moment reflektimi dhe falënderimi, ku të pranishmit ndanë jo vetëm ushqimin, por edhe vlerat e përbashkëta që i bashkojnë ata.