Kuriozitet

Starship i SpaceX niset për fluturimin e tretë testues

Starship-i pa pilot, sistemi më i madh i raketave i ndërtuar ndonjëherë, u ngrit sot nga porti i “SpaceX” në Teksas për një fluturim të tretë testues pas dy përpjekjeve të mëparshme të dështuara.

Fluturimi testues i sistemit të zhvilluar nga kompania hapësinore e miliarderit, Elon Musk ishte planifikuar të zgjaste rreth një orë, me të dyja fazat e raketave të caktuara për të kryer një ulje të kontrolluar në det më pas.

Gjatë testit të parë prillin e kaluar, i gjithë sistemi raketor shpërtheu pas disa minutash.

Ndërsa gjatë testit të dytë në nëntor, dy shkallët e raketës u ndanë dhe shkalla e sipërme vazhdoi të fluturonte, por më pas të dyja shpërthyen veçmas.

Starship-i, i përbërë nga përforcuesi “Super Heavy” afërsisht 70 metra i gjatë dhe shkalla e sipërme afërsisht 50 metra e gjatë, e quajtur gjithashtu “Starship” u projektua për të mundësuar misione me njerëz në Hënë dhe Mars.

Sistemi është zhvilluar në mënyrë të tillë që anija kozmike dhe raketa të ripërdoren pas kthimit në Tokë.

“Starship” rreth 120 metra i gjatë në total, duhet të jetë në gjendje të transportojë mbi 100 tonë mallra në të ardhmen.

Agjencia amerikane e hapësirës NASA dëshiron të përdorë sistemin për të çuar astronautët në Hënë, ndërsa “SpaceX” shpreson të arrijë Marsin një ditë.