Shënohet Dita Botërore e Veshkave, transplantimi i veshkave, shpresë për jetë
Një nga dhjetë persona të rritur në mbarë botën vuajnë nga ndonjë formë e sëmundjes së veshkave, e cila po që se nuk zbulohet, trajtohet dhe nuk mjekohet në kohë, sëmundja mund të tejkalon në një fazë shumë të avancuar ku mund të vihet në pikëpyetje edhe jeta e pacientëve. Ky është mesazhi kryesor i nefrologëve që dhanë gjatë shënimit të Ditës botërore të veshkave. Ata thonë se në vend ka rreth 200 mijë qytetarë të prekur nga ndonjë formë e sëmundjes së veshkave dhe rreth 1.540 janë në dializë.
“Një ndër shkaqet kryesore për përhapjen e sëmundjes së veshkave janë diabeti dhe hipertensioni. Ajo që më shumë shqetëson është rritja e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me ndonjë lloj të sëmundjes së veshkave, respektivisht rritjes së numrit të pacientëve të cilët kanë nevojë të fillojnë me doemos me terapi mjekësore dhe rritja e pacientëve, të cilët janë në hemodializë. Tek ne aktualisht kemi rreth 1.500 apo 1.600 pacientë.”, – deklaroi drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Irena Bushletiq.
Pacientët e sëmurë nga veshkat kërkojnë trajtim optimal dhe të avancuar mjekësor. Transplantimi i veshkës së pacientëve është e vetmja shpresë për të vazhduar jetën normale pa dializë. Por për të ndodhur kjo pritja është e gjatë, ndërsa transplantimi nga donori i vdekur nuk është praktik që ka gjetur përdorim tek ne.
“Sëmundjet e veshkave janë me rëndësi që të zbulohen në kohë në vend që të prolongohet procesi i dializës. Unë nuk kam donator kompatibil për të më dhënë dikush veshkë. Jam në listën e pritjes së veshkave dhe shpresoj se një ditë do të gjej donor kompatibil të veshkës me çka do të përmirësohej jeta ime shëndetësore dhe e të afërmve të mi.”, – theksoi pacientja, Danica Stojkova.
“Thirrja jonë është se nëse hyn në përdorim transplantimi kadaverik i veshkave, atëherë do të zgjerohet edhe lista ku prej gjithsej 1.500/1.600 pacientëve që janë në dializë, 1/3 e tyre të paktën të jenë në listën e pritjes së transplantimit. Mund të lavdërojmë se lista e pritjes së “living donor” apo nga donor i njohur veç më nuk ekziston, por gjithsecili që do të sigurojë veshkë nga të afërmit të tyre e që është kompatibil për një kohë të shkurtër mund t’u bëhet transplantimi.”, – u shpreh Dushko Gjorgjievski nga Shoqata e qytetarëve të sëmurë nga veshkat “Nefron”, transmeton TVM2.
Dita botërore e sëmundjes së veshkave është ngjarje e iniciuar nga Shoqata Ndërkombëtare për nefrologji dhe Federata ndërkombëtare e fondacioneve të veshkave. Në vend, kjo ditë shënohet tradicionalisht që nga viti 2006.