Pamje të shëmtuara nga Tetova që mbetet e zhytur në mbeturina, Kasami arsyetohet
Tetova assesi të pastrohet nga mbeturinat dhe deponitë që krijohen gjithandej. Edhe pse ditëve të fundit situata në terren është përmirësuar pak, megjithatë mbeturinat dhe deponitë ende ekzistojnë në shumë lokacione. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thekson se ka pasur pengesa teknike dhe administrative që kanë kontribuuar në këtë kaos, ndërsa tha se të njëjtat janë tejkaluar dhe se ditëve në vijim pritet zgjidhja e problemit, shkruan Portalb.mk.
Në qytet ka me dhjetëra deponi të krijuara në mes të rrugëve dhe trotuare, të cilat mbajnë erë të keqe dhe që shkaktojnë revoltë për çdo ditë te qytetarët të cilët shpesh këtë revoltë e shprehin duke shpërndarë fotografi në rrjetet sociale nga vendet ku jetojnë. Edhe pse disa prej tyre tani më janë pastruar, kryesisht nëpër rrugët kryesore të qytetit, situata më e rënduar paraqitet brenda lagjeve.
I pyetur për këtë problem, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thekson se arsye për grumbullimin e mbeturinave ka qenë tranzicioni nga ndërmarrja publike në atë private sllovene e cila do të menaxhojë me mbeturinat dhe procedurat administrative dhe teknike që kanë marrë kohë dhe kanë pamundësuar operimin efikas në terren.
“Unë vlerësoj se ditëve të fundit veç më është eliminuar ai problem, ka qenë problem në fazën e tranzicionit të përgjegjësive nga ndërmarrja publike në kompaninë private. Kemi punuar bashkërisht gjatë gjithë kësaj periudhe për eliminimin e të gjitha pengesave që janë paraqitur që nga Deponia Rusino e cila kishte kufizime në pranimin e mbeturinave deri në organizimin e regjistrimit të të gjithë atyre pajisjeve të cilat i kish kompania private dhe të cilat ishin procedura të pakuptimta të regjistrimit të kamionëve dhe të cilat nuk mund të dilnin në komunikacion pa qenë të regjistruara në emër të ndërmarrjes së re deri te pengesat burokratike të hapjes së llogarisë që zgjasin me ditë këtu te ne”, tha Kasami.
Ai theksoi se këto pengesa tani janë tejkaluar dhe se ndërmarrja private do të bëjë eliminimin e mbeturinave nga kontejnerët nëpër qytet.
Problem tjetër në këtë drejtim mbeten edhe hapësirat dhe kushtet e punës të punëtorëve të higjienës komunale, për këtë u paralajmërua moti kohë përmirësim i kushteve dhe transferim në hapësira të reja. Kasami tha se edhe ky proces është në fazën finale.
“Është dashur këto ditë, besoj sot nesër do duhet të transferohen. Sipas informatës që kam, përgjegjësi nga Sllovenia është këtu dhe punojnë në fazën e transferimit të punëtorëve në lokacionin e ri në Pallçisht”, tha Kasami.
Ai këto komente i bëri gjatë aktivitetit të Komunës së Tetovës të cilët këtë muaj duke realizuar një sërë aktivitetesh për ngritjen e vetëdijes për mjedis të pastër me nxënësit e shkollave fillore.
Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë, ndërsa kjo me pompozitet u promovua disa herë se do të zgjidh problemin me mbeturinat në Tetovë, por në terren problemi deri më tani mbetet i pazgjidhur.