Klekovski: Siljanovska s’mund të bëhet presidente pa votat e shqiptarëve
Kandidatja e OBRM-PDUKM-së për president të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, nuk mund t’i fitojë zgjedhjet pa votat e shqiptarëve, thotë Sasho Klekovski nga e njëjta parti. Klekovski tha se vetëm votuesit e OBRM-PDUKM-së nuk mund t’ia sjellin fitoren Siljanovskës.
“Profesoresha Gordana Siljanovska Dovkova nëse dëshiron të fitojë e ka patjetër që të përfitojë votat e shqiptarëve etnikë. Njësoj sikur kryetarit të komunës së Gostivarit apo Tetovës i nevojiten votat e maqedonasve etnikë. Kur ju zgjedhin në sistem mazhoritar, votuesit tuaj nuk mjaftojnë për fitore.
Unë pres që drejtuesit e fushatës së Siljanovskës do ta kenë parasysh këtë. Më duhet ta them se Siljanovska nuk është kandidati i njëjtë për shkak të përvojës politike në Parlament. Komunikimi në Parlament i ka mundësuar njohjen e faktorëve të ndryshëm politik në vend”, tha Klekovski, në intervistën për Alsat.