Maqedoni

Partitë politike, përplasje për kandidatët presidencial

Subjektet politike vazhdojnë me akuzat e ndërsjella sa u përket kandidatëve për president. LSDM-ja thotë se VMRO-DPMNE-ja bën përpjekje që politikat destruktive partiake t’i zhvendos në kabinetin presidencial, nëpërmjet Siljanovska Davkovës, si dorë e zgjatur e Hristijan Mickoskit.

“Siljanovska në katër vitet e fundit si deputete e DPMNE-së ka mbështetur bllokadat e Kuvendit të Maqedonisë dhe rrugën evropiane të vendit. Vota për Siljanovskën është votë për kthim prapa, votë për largimin e vendit nga BE-ja. Maqedonia nuk ka nevojë për një president që do të jetë përsëritja e Gjorge Ivanovit. Ne nuk kemi nevojë për një president që do të jetë një pasardhës partiak dhe një letër pa zë si Ivanovi.”, – deklaroi Daniela Koleva nga LSDM.

Sulmet që socialdemokratët i drejtojnë Davkovës, nga VMRO-DPMNE-ja i cilësojnë trillime të zbrazëta, që LSDM-ja i bën pasi nuk ka çfarë ofron tjetër.

“Sulmet e LSD-së janë të përditshme, por ato janë fjalë të kota, sepse nuk kanë asgjë për të ofruar. Ajo që mund të thonë për Stevo Pendarovskin është të përsërisin qëndrimin tonë që është i njohur për opinionin dhe që e përjeton opinioni, e ai është se Stevo Pendarovski e ka shkelur dinjitetin e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Ata harrojnë se sa shpejt ai ndryshoi pikëpamjet e tij, le të themi, ndryshimin e Kushtetutës apo pranimin e marrëveshjes bullgare.”, – theksoi Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë nga VLEN, thonë se BDI-ja nuk ka të drejtë të flasë për presidentin e parë shqiptar, sepse në vend që të mbështesë Arben Taravarin, vendosi që me kandidaturën e Osmanit të sabotojë mundësinë që kjo të ndodhë tani menjëherë në vitin 2024. Njëherit nga opozita shqiptare VLEN, duke marrë parasysh raportin e ODIHR-it, dyshojnë se BDI-ja është e gatshme të shkaktojë krizë politike, me synimin që të mos pranojë humbjen në zgjedhje.

“Duke e marr parasysh raportin e ODIHR-it që parashikon jostabilitet të mundshëm dhe zgjedhje të pasigurta, kemi të drejtë të dyshojmë se BDI-ja është e gatshme për të shkaktuar krizë politike vetëm e vetëm që të mos e pranojë humbjen e sigurt që vjen. BDI-ja nuk ka të drejtë të flas për presidentin e parë shqiptarë, sepse në vend që të mbështesë Arben Taravarin, vendosi që të sabotojë mundësinë që kjo të ndodhë tani menjëherë në vitin 2024.”, – u shpreh Orhan Murtezani nga VLEN, për TVM.

Por nga BDI-ja duke pretenduar në fitoren e kandidatit të tyre, Bujar Osmani, kanë dalë me moton JO RUSISË, PO EVROPËS! Ndërsa vet Osmani duke zbuluar pjesë të platformës së tij politike si kandidat për president, ka paralajmëruar se do të iniciojë “veting” të bartësve të funksioneve politike përmes një Bordi ndërkombëtar, i cili do të përbëhej nga përfaqësues të NATO-s, BE-së dhe ShBA-së. Sipas Osmanit, bordi ndërkombëtar që do të certifikonte në dy drejtime bartësit e funksioneve publike; një në siguri, se a kanë çfarëdo lidhje me interesin rus dhe dy me korrupsionin dhe krimin e organizuar.