Osmani për Rezolutën e Senatit Amerikan: Inkurajon RMV-në në rrugëtimin drejt BE-së
Rezoluta e Senatit Amerikan me të cilën riafirmohet përkrahja për hapjen e klasterit të parë negociues të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, pa kushte shtesë dypalëshe, do të nënkuptojë inkurajimin e vendit tonë për të vazhduar në atë rrugë, por edhe inkurajimin e BE-së për përshpejtimin e këtij procesi. Kështu vlerëson ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, sipas të cilit ky është mesazh edhe për faktorët politik që merren me konspiracione për alternativa tjera të mundshme për anëtarësimin e vendit në BE.
“Nënkuptohet se kjo do të jetë inkurajim që të vazhdojmë drejt kësaj rruge, por edhe inkurajim i BE-së se duhet të përshpejtohet aderimi për RMV-në. Korniza negociuese është vërtetuar me konsensus nga 27 vendet anëtare, ajo i mbron pozitat tona sepse nuk lejon që çështjet e identitetit të jenë pikë kyçe për hapjen e kapitujve dhe ky ishte një sukses i madh për vendin tonë. Pres që pas zgjedhjeve të përshpejtohet ky proces dhe deri në vitin 2030 RMV-ja të anëtarësohet në BE.”, – deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Procesi për bashkëpunim me Evropën Juglindore, Osmani: Hapet konkurs për sekretar gjeneral
Osmani në cilësinë e kryesuesit me procesin për bashkëpunim me Evropën Juglindore mori vendim për anulimin e procesit të mëparshëm të konkursit për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, ku sekretarja aktuale Majlinda Bregu, kandidatja nga Kosova dhe kandidati nga Sllovenia, nuk arritën të arrijnë konsensus për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm. Ai thekson se do të shpallet konkurs i ri për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, në të cilin Maqedonia e Veriut do të ketë kandidatin e saj.
“Maqedonia e Veriut tregon ambicie të qarta për të marrë pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të këshillit rajonal për bashkëpunim me seli në Sarajevë dhe shumë shpejtë do të dalim me kandidatë të RMV-së dhe pres mbështetjen e 13 shteteve, sepse kujtoj se ka ardhur koha që vendi ynë të kryesojë me një iniciativë rajonale të rëndësishme të këtij lloji.”, – theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Osmani po ashtu bëri të ditur se është marrë njoftim se Mali i Zi do të pranojë pasaportat me emrin e vjetër Republika e Maqedonisë nëse ato janë të vlefshme. Po sipas tij, MPB-ja duhet të fokusohet në organizimin më të mirë të sistemit dhe më pak politikbërje, për të rritur numrin e pasaportave që u jepen qytetarëve, shkruan TVM2.