Kosovë

Eskobari do ta vizitojë Kosovën këtë javë, temë diskutimi – dialogu dhe dinari

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën. Eskobari do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit.

“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal.”, tha Departamenti i Shtetit.

Eskobari do ta vizitojë Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara, për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar. Muajin e kaluar, Eskobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton ShBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, duke komentuar vizitën e të dërguarit të ShBA-së, Gabriel Eskobar në Kosovë për çështjen e dialogut dhe dinarit, tha se vendimi për dinarin është i pakthyeshëm. Kusari tha se e vetmja valutë në Kosovë është euro. Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Kosova është peng i keq i menaxhimit të Qeverisë Kurti. Kritikon kryeministrin se çështjen e brendshme, siç është vendimi për dinarin, e bëri temë ndërkombëtare duke mos pasur koordinim me ShBA-në.

Në ndërkohë, Banka e Kursimeve Postare e Serbisë ka hapur katër degë në afërsi të katër pika kufitare me Kosovën. Sipas njoftimit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, kjo është bërë me qëllim që qytetarët serbë të Kosovës të marrin pagesat e tyre.