Protesta para Ministrisë së Drejtësisë, përmbarimi, të zbatohet vjetërsimi i lëndëve
Një numër i konsideruar i qytetarëve protestuan para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që të fillojë të implementohet Ligji për marrëdhënie obligative dhe t’i jepet fund zhvatjes së qytetarëve nga ana e përmbaruesve. Sipas tyre, përmbaruesit nuk po e implementojnë Ligjin për marrëdhënie obligative që ka të bëjë me vjetërsimin e lëndëve edhe pse këto ndryshime ligjore u votuan në Kuvend, u vërtetua kushtetutshmëria e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
“Stop për përmbaruesit”, “Përse e miratuat ligjin, përse po gënjeni popullin?!”, ishin disa nga parullat e protestuesve të mbështetur nga organizatat “Njeriu mbi profitin” dhe “No pasaran”. Në Ministrinë e Drejtësisë janë dorëzuar edhe kërkesa me shkrim që ka të bëjë më vjetërsimin e lëndëve tek Përmbaruesit. Ata kërkuan që në afat prej 8 ditëve kërkesat e tyre të procesuohen dhe t’u urdhërojnë përmbaruesve që lëndët të fillojnë të vjetërsohen.
“Gjykata Kushtetuese është në anën tonë, gjithashtu dhe Avokati i Popullit. Vetëm ju, pushteti ekzekutiv, nuk jeni në anën tonë. Ligji është decid, 10 vjet nga dokumenti përmbarues gjithkund në botë vjetërsohet.”, – theksoi Ana Gligorova nga Shoqata”Njeriu mbi Profitin”.
“Përse nuk funksionon pasi e miratuan ligjin, u paraqitën oligarkët dhe kur panë se bëhet fjalë për një shumë të madhe të parave. Tek ne mbetet dyshimi se në pyetje është krimi, sepse bëhet fjalë për një shumë të madhe të parave.”, – u shpreh aktivisti, Marijan Ristevski.
Më këtë rast u informua se si pasojë e përmbarimit ka mbi 220 mijë llogari të bllokuara të qytetarëve. Nga Ministria e Drejtësisë kanë njoftuar se nuk kanë kompetenca ligjore për interpretim autentik, pasi qytetarët dorëzuan kërkesa me shkrim për vjetërsimin e lëndëve. Sipas tyre, kompetencë për të vepruar në këtë rast ka gjykata në procedurë adekuate.