Maqedoni

Mickoski: Ahmeti dhe Kovaçevski duhet të tregojnë nëse është ndarë ndihmë shtetërore për “E-GO” të Destanit! Nëse është paguar edhe një cent, duhet të ketë përgjegjësi

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkon që kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, të përgjigjen nëse shteti i ka ndarë ndihmë financiare për kompaninë “E-Go”, për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e veturave elektrike në Tetovë, kompani kjo që u raportua se tashmë ka bankrotuar, përcjell TV21. Mickoski thotë se nëse i janë paguar para kësaj kompanie, atëherë qeveria duhet të mbajë përgjegjësi.

“Nëse është paguar çfarëdolloj ndihme shtetërore, edhe një cent, ai që e ka bërë këtë, ka bërë vepër të madhe penale dhe keqpërdorim të parave të popullit dhe do të përgjigjet për atë që e ka bërë, edhe pse ne nga fillimi paralajmëruam se kjo është edhe një gënjeshtër laramane në sytë e zgjedhjeve të atëhershme lokale në komunën e Tetovës, kur kishte sërish zgjedhje për Këshill”, the mes tjerash Mickoski.