Tetova pa banesa sociale!
Tetova me rrethinë vazhdon të diskriminohet nga pushteti qendror. Krahas shumë sferave ku mungojnë investimet, një segment mjaft i rëndësishëm është edhe mbrojtja sociale. Pushteti qendror ka anashkaluar Tetovën kur bëhet fjalë për banesat sociale. Kësisoj, rastet e familjeve që nuk kanë strehim, apo janë me të ardhura të vogla, janë të detyruar të gjejnë zgjidhje tjera, sepse shteti ende nuk e ka në prioritet Tetovën. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se është rast specifik që Tetova nuk ka banesa sociale.
“Patjetër që një ndër format e diskriminimit të Tetovës është edhe projekti nacional për banesat sociale. Përderisa nuk ka një qytet tjetër në Maqedoninë e Veriut që nuk ka pasur banesa sociale, Tetova është rast specifik. Nuk do të kisha dashur që kjo të jetë edhe për aspektin etnik, se Tetova është me popullsi dominuese etnike shqiptare, nuk do të kisha dashur që kjo të jetë shkaku i dallimeve politike pasi Tetova, si një nga qytetet më të mëdha me shumicë shqiptare, udhëhiqet nga opozita. Ka pasur arsyetime të ndryshme nga Qeveria, por unë mendoj se nuk qëndrojnë ato arsyetime. Sepse, nëse flasim për një interes qytetar të një kategorie të rrezikuar të shoqërisë tonë, që t’ju dalim në ndihmë, sigurisht se të gjitha problemet mund të tejkalohen”, deklaroi Kasami.
Sipas autoriteteve të pushtetit lokal në Tetovë, Qeveria dhe dikasteri përkatës nuk ka pasur interesim që Tetova të jetë pjesë e projektit për ndërtimin e banesave sociale.