Etleva Tafa, fituese e çmimit kryesor në “Takimet Poetike të Karadakut – 2024”
Të shtunën më 9 mars, me pjesëmarrjen e shumë krijuesve dhe dashamirëve të poezisë në Kumanovë u mbajt edicioni i 32-të me radhë i manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut”.
Takimet i hapi kryetari Fatos Rushiti, i cili vuri theksin tek krijimi i një lidhjeje të të gjitha klubeve të shkrimtarëve dhe artistëve nga të gjitha trojet shqiptare. “Shqipëria, Kosova, por dhe Maqedonia e Veriut, deri më tani nuk kanë bërë aq sa duhet për të nxitur dhe ndihmuar modalitete të ndryshme të bashkëpunimit kulturor ndër shqiptarët” theksoi Rushiti.
Këtë vit me çmimi kryesor “Fadil Bekteshi” shkoi te poetja nga Tirana – Etleva Tafa, me poezinë “Atje në Dalmaci”, me çmimin ‘’Doruntina’’ u nderua poeti nga Durrësi – Agron Çalliku, me poezinë “Një dramë brenda vetes”, ndërkaq me çmimin “Jehona Poetike” u shpërblye poeti nga Vitia – Fadil Abazi, me poezinë “Nuk fiket kujtimi për ty”.