Komentet e politikanëve në Shkup, MPJ-ja bullgare thërret ambasadorin
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka njoftuar se ka thirrur ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm të Maqedonisë në Sofje në lidhje me, siç thonë ata, “komentet e fundit publike të politikanëve nga shteti fqinj dhe pretendimet e rrejshme të përhapura nga ana e tyre për Republikën e Bullgarisë”.
MPJ bullgare thekson se kundërshtojnë kategorikisht përpjekjen për përfshirjen e Bullgarisë dhe marrëdhënieve bilaterale në debatin e brendshëm politik në Maqedoni, përfshirë edhe në kontekstin e fushatës zgjedhore aktuale.
“Bullgaria vazhdimisht mban një ton konstruktiv dhe përmbahet nga komentimi i provokimeve të vazhdueshme në hapësirën publike të Maqedonisë së Veriut. Ai e bën këtë duke kuptuar se është e nevojshme të sigurohet një mjedis konstruktiv për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor në mënyrë që të mund të zbatohen reformat e nevojshme. Fatkeqësisht, është e qartë se këto përpjekje të Bullgarisë nuk janë kuptuar dhe vlerësuar nga faktorë të caktuar në Shkup, të cilët vazhdojnë ta përdorin vendin tonë si justifikim për mungesën e progresit para qytetarëve të tyre”, thonë nga MPJ bullgare.
Ata u bëjnë thirrje politikanëve në RMV që të tregojnë pjekurinë e nevojshme politike, të japin një kontribut konstruktiv në zbatimin e angazhimeve politike të ndërmarra në vitin 2022 dhe të respektojnë me përpikëri Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017.
“Është e vetmja mundësi për të arritur progres real në procesin e integrimit evropian të vendit për të mirën e qytetarëve të tij”, thonë nga MPJ bullgare.
Njoftimit i ka paraprirë fakti se VMRO-ja bullgare ka urdhëruar thirrjen e ambasadorit maqedonas për shkak të deklaratave të presidentit aktual Stevo Pendarovski për, siç thonë ata, “fjalë urrejtjeje ndaj shtetit bullgar”.