Gazë, bisedimet për armëpushimin, pa rezultat
Përpjekjet për një armëpushim në Rripin e Gazës deri në festën e shenjtë të Ramazanit kanë dështuar. Izraeli këmbënguli në kërkesat e tij që Hamasi të dërgonte një listë me emrat e pengjeve izraelitë të mbijetuar, të cilën nuk e mori deri në fillimin e negociatave. Shteti izraelit nuk dërgoi një delegacion në Kajro dhe nuk iu përgjigj propozimit të paraqitur nga Hamasi. Në vend të armëpushimit, Tel Avivi doli me akuza të rënda kundër Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e ngarkuar me mbështetjen e civilëve palestinezë në Lindjen e Mesme. Ata pretendojnë se mbi 450 punonjës të organizatës ishin anëtarë të grupeve militante në Rripin e Gazës. Janë publikuar biseda të përgjuara, të cilat sipas tyre tregojnë qartë përfshirjen e punonjësve të ndihmës humanitare në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
“Ne kemi deklasifikuar thirrjen që përgjuam nga një terrorist i Hamasit, që mori pjesë në masakrën e 7 tetorit. Por, ai nuk është thjesht një terrorist i Hamasit, ai është gjithashtu i punësuar në Agjencinë Palestineze të Refugjatëve dhe punon si mësues në një shkollë fillore të Kombeve të Bashkuara në Gazë.”, – deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.
Organizata demanton. Ata akuzojnë Izraelin për torturimin e punonjësve të tij duke pranuar në mënyrë të rreme se ata kishin lidhje me Hamasin. Komisionari i Përgjithshëm, Lazarini, u ankua se organizata po përballej me një fushatë të qëllimshme dhe të vazhdueshme për të minuar operacionet e saj, me qëllimin përfundimtar të ndërprerjes së ndihmës për civilët palestinezë.
“Thirrjet e përditshme të qeverisë izraelite për të eliminuar Agjencinë nuk kanë të bëjnë me neutralitetin. Fushata kundër organizatës synon të ndryshojë planet e kamotshme politike për paqen në territorin e pushtuar palestinez, të përcaktuara nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit. Sulmet kundër organizatës synojnë të eliminojnë rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve palestinezë.”, – theksoi komisionari i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së, Filip Lazarini.
Akuzat e ndërsjella vijnë menjëherë pas bisedimeve të dështuara të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit që u zhvilluan në Kajro. Përveç kësaj, presionet ndërkombëtare po rriten për të arritur paqen e qëndrueshme dhe për t’i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme.