Maqedoni

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut në “mëshirë”, rrezikon rritja e çmimeve të ushqimit

Nga data 1 marsi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shfuqizuar vendimin për “çmim të garantuar,” një masë e cila kishte qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimi i çmimeve të produkteve ushqimore. Kjo masë ishte e vendosur përpara miratimit të një projektligji për mbrojtje nga ekonomia jokorrekte, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare.

Me shfuqizimin e vendimit për çmim të garantuar, tregtarët tani kanë liri të vendosin vetë për rritjen ose uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Kjo situatë ka sjellë një periudhë pasigurie në treg, duke lejuar tregtarët të vendosin çmimet sipas kushteve të tyre.

“Nga 1 marsi tregtarët do të rrisin çmimet në mënyrë të pakontrolluar dhe kjo gjithsesi se do të rëndojë edhe më shumë gjendjen tonë. Ne, edhe ashtu ishim keq, por tani do të bëhet edhe më e vështirë”, thotë Mile Stojçev, punonjës në sektorin e ndërtimtarisë.

Shpenzimet sa shkojnë e rriten dhe në këtë mënyrë jeta bëhet edhe më vështirë e përballueshme për qytetarët që janë pa të ardhura ose me të ardhura minimale. Çdo vit më shtrenjtë e më keq. Rritja e pagës minimale dhe pensioneve në vlerë shumë minimale krahasuar me rritjen enorme të çmime nuk ndihmon asgjë, duke filluar nga produktet bazë e deri tek të gjitha produktet dhe shërbimet tjera.

Ndërsa në bursat botërore janë ulur çmimet e lëndëve të para, burimeve të energjisë, madje dhe produkteve ushqimore të gatshme për shitje me pakicë, në Maqedoninë e Veriut po ndodhë e kundërta. Në vend që të shënojnë ulje çmimet priten të rriten, e kjo do të rrit edhe më shumë dëshpërimin e qytetarëve.