Raporti i “Freedom house”, RMV-ja radhitet si vend pjesërisht i lirë
Pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve, Maqedonia e Veriut mbetet akoma “vend pjesërisht i lirë” sipas raportit të fundit të “Freedom House” për lirinë e botës, i cili përfshin 210 vende. Raporti matet sipas dy parametrave: të drejtat politike dhe liritë civile.
Sipas raportit, RMV-ja ka rënë në 67 pikë, për një vend më pak në krahasim me vitin e kaluar.
Të drejtat politike në RMV janë vlerësuar me 28 pikë nga gjithsej 40, ndërsa liritë qytetare me 39 pikë nga gjithsej 60. Në total nga 100 pikë, RMV-ja ka marrë 67 pikë, Shqipëria 68 pikë, Kosova 60, Mali i Zi me 69, Bosnjë dhe Hercegovina 51 dhe me 57 pikë Serbia.
Të gjitha vendet e rajonit, raporti i kategorizon me pak dallime duke i vendosur në një grup. Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe Greqia radhiten si vende plotësisht të lira, ndërsa Finlanda, Zelanda e Re, Suedia, Norvegjia, Holanda, Luksemburgu, Irlanda kryesojnë listën si “shtete plotësisht të lira”.
Raporti gjithashtu thekson se të drejtat politike dhe liritë civile u reduktuan në 52 vende, ndërsa vetëm 21 vende panë përmirësime.
“Zgjedhjet e manipuluara dhe konflikti i armatosur kontribuuan në këtë rënie, duke kërcënuar lirinë dhe duke shkaktuar vuajtje të rënda njerëzore”, thekson raporti, duke shtuar se “konflikti i armatosur dhe kërcënimet e agresionit autoritar e kanë bërë botën më pak të sigurt dhe më pak demokratike.
Raporti, mes tjerash shton se pluralizmi është nën sulm, por mbetet ende një burim force për të gjithë shoqërinë.
Refuzimi i pluralizmit – bashkëjetesa paqësore e njerëzve me ide të ndryshme politike, fe ose identitete etnike nga udhëheqës autoritarë dhe grupe të armatosura ka shkaktuar represion, dhunë dhe një rënie të madhe të lirisë së përgjithshme në vitin 2023.
Këto tendenca krijojnë një mjedis të pafavorshëm për demokracinë, ndërsa bota hyn në një vit të njëpasnjëshëm zgjedhor, thuhet në pikat kryesore të raportit të “Freedom House”.