KSHZ propozon që të votohet edhe me pasaportat me “Republika e Maqedonisë” nëse kanë afat
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) propozon që në Kodin Zgjedhor të futet një dispozitë e përkohshme me të cilën qytetarëve nga vendi dhe atyre që jetojnë jashtë do t’u mundësohet që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë me pasaporta me emrin e vjetër kushtetuese, të cilëve ende nuk u ka skaduar afati, transmeton Portalb.mk.
Kjo dispozitë, siç thotë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, do të vlente vetëm për këto zgjedhje, ndërsa para së gjithash do të vlente për qytetarët të cilët nuk kanë letërnjoftime të vlefshme.
“Propozojmë që pasaportat në të cilat shkruan “Republika e Maqedonisë”, nëse kanë afat, të vlejnë për votim dhe ajo të futet në Kodin Zgjedhor si dispozitë kalumtare e cila do të vlejë vetëm për këto zgjedhje. Mendoj se nuk ka zgjidhje më ideale se kjo. Veç më kemi ndryshuar ligjin për letërnjoftime dhe ato vlejnë, por shumë njerëz nuk kanë as letërnjoftime, kështu që nëse pasaportat kanë afat, do të kenë një dokument, sepse ato janë realisht dokumente të vlefshme, të lëshuara nga organet tona kompetente”, deklaroi Dashtevski mbrëmë në emisionin “Top Tema”.
Dashtevski shtoi se, gjatë votimit në zgjedhje, qytetarët do të mund të identifikohen me një gjurmë të gishtit dhe se do të mund të zgjedhen opsione të llojit: “votojë”, “nuk votojë”, “nuk dua/dua të marrë dy fleta”. Sipas tij, të gjithë veprimet e parapara për mbajtjen e zgjedhjeve të dyfishta shkojnë siç duhet dhe të gjitha afatet janë respektuar. Ai vlerësoi se, zgjedhjet do të jenë fer, të lira dhe demokratike.
Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.