Maqedoni

Arifi: Kurti synon shtrirjen e pushtetit në Maqedoni

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka për qëllim ndryshimin dhe prosperitetin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

Ai, me anë të një postimi në platformën X, ka thënë se Kurti përndryshe, “nuk do të kishte mbështetur fraksione partiake si dhe persona që janë sinonim i pushtetit të kaluar”.

“Ai synon pushtet më të gjerë (Maqedoni, Luginë dhe Shqipëri) dhe më intensiv e totalitar, pra “Krejt dhe Drejt”. Kurti synon shtrirjen e tentakulave të tij në gjithë trojet shqiptare për t`i ndihmuar edhe propagandave dhe insinuatave serbe ndaj shqiptarëve, sikur se Kosova është vatër e konfliktit në rajon”.

Arifi ka theksuar se Kurti është kryeministri i parë shqiptar, sipas tij, që është kundër Amerikës.

“Mos harroni, Kurti me historinë dhe ngarkesat e tij personale është bërë Kryeministri i parë shqiptar që është hapur Anti-Amerikan dhe nxit “besimtarët” e tij kundër ShBA-ve dhe interesave perëndimore”.

“Për krahasim: në Luginën e Preshevës, Kurti po mbështet financiarisht me miliona Euro një parti shqiptare vasale e Beogradit e cila ka histori dekadore të korrupsionit dhe krimit në Luginë. Kështu ka gjetur duarputhës për të shtrirë pushtetin e tij, sepse pushteti i tij i vetëm në Kosovë pothuajse i ka dështuar në çdo aspekt të jetës. “Zajednicën” e pranoi dhe me të kantonizimin e Republikës së Kosovës, dështime në Shëndetësi, Ekonomi, Arsim dhe në gjitha sferat vitale”, ka thënë Arifi. /Klankosova.tv