Maqedoni

UNESCO në kontroll të ndërtimeve pa leje në liqenin e Ohrit

Një mision monitorues i UNESCO-s vjen këtë muaj për të inspektuar rajonin e Ohrit, për të parë se sa nga rekomandimet e dhëna janë përmbushur. Një nga më të rëndësishmet është përballja me ndërtimet pa leje, për të cilat sipas ambientalistëve dhe aktivistëve civilë nuk është bërë asgjë. Ata mbeten të mendimit se numri i ndërtimeve pa leje është në rritje.

Reagon edhe Ohri SOS, të cilët theksojnë se bregdeti është nën presion të shtuar të uzurpimit dhe shkatërrimit, ndërsa institucionet heshtin.

“Kërkohet që të mos shfaqen ndërtime të reja pa leje, por në pronat e Katarit që ndodhen në fshatin Ramne të Ohrit, pa leje ndërtimi dhe dokumentacion tjetër përkatës dhe në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit, kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme një kompleks hotelerie, objekte biznesi dhe një ambient të jashtëm”, thuhet në faqen e Facebook të Ohrit SOS.

Aktivistët po bëhen gjithnjë e më të zhurmshëm, thonë se asnjë nga 12 rekomandimet nuk është përmbushur. Pas një inspektimi të situatës, ekspertët e UNESCO-s do të duhet të vendosin nëse rajoni i Ohrit do të jetë në listën e trashëgimisë botërore të rrezikuar.