Maqedoni

Gir: Kam gabuar që kam qenë në kabinetin e Grubit

Ambasadori i BE-së David Gir ka vlerësuar se takimi i tij me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti në hapësirat e ministrisë së kryesuar nga zëvendëskryeministri Artan Grubi, ka qenë gabim, shkruan Alsat.

Gir dhe Ahmeti janë takuar në mesin e dhjetorit në kabinetin e Grubit dhe siç ka bërë të ditur BDI, të dy kanë biseduar për zgjedhjet e ardhshme.

Komisioni Kundër Korrupsionit ka reaguar disa herë më herët për keqpërdorimin e ambienteve zyrtare të Ministrisë së Sistemit Politik për qëllime partiake.

“Ndonjëherë bëhen gabime. Unë vetë nuk duhet të kisha marrë pjesë në një takim me parti politike në ministri. Ministritë janë vende ku kryhen punët e shtetit. Ishte gabim, duhej të kisha vepruar më mirë”, u shpreh David Gir – ambasador i BE-së.

Anëtarët e Antikorrupsionit kanë urdhëruar që Grubi të mbajë përgjegjësi për shkeljen e Kodit të Etikës për funksionarët, gjë që është nën kompetencat e zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska. Vitin e kaluar ajo vetëm e paralajmëroi Grubin, por nuk kishte dënim më të lartë.

Ndërkohë, sot ishte dita e fundit e punës së përbërjes aktuale të Komisionit Kundër Korrupsionit.
Ambasadori evropian theksoi se puna e anëtarëve të Antikorrupsionit është shumë domethënëse dhe gjithashtu u bëri thirrje institucioneve që të veprojnë sipas rekomandimeve të tyre.

Sipas KSHPK-së, vitin e kaluar institucionet kanë realizuar vetëm 14% të rekomandimeve.

“Ajo që është shqetësuese është fakti se kur shikon rekomandimet e tyre të viteve të fundit, përqindjet e zbatimit të tyre, nga 20%, ulen në 10%, së fundmi është 14%. Është shumë zhgënjyese. Si ne ashtu edhe qytetarët presim që të shohim zbatim të lartë të këtyre rekomandimeve të rëndësishme, si dhe veprim ndaj rekomandimeve nga raportet e Entit Shtetëror të Revizionit”, tha David Gir – ambasador i BE-së.

Nga nesër në krye të Komisionit Kundër Korrupsionit do të jetë revizorja Tatjana Dimitrovska. Anëtarë të ri janë edhe revizorët Zoran Bogoevski, Cveta Ristovska dhe Servet Demiri, më pas gjykatësja Sofia Spasova-Medarska, si dhe dy këshilltarët e mëparshëm në Komisionin Kundër Korrupsionit, Biljana Karakashova-Shulev dhe Besnik Xhemaili./ Alsat.mk