Maqedoni

Në RMV ka mungesë të konkurrencës së tregut në telefoninë celulare, vlerësoi AEK

Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) konstaton mungesë të konkurrencës në tregun e telefonisë celulare në analizën e fundit të tregut përkatës për përfundimin e thirrjeve në telefoninë celulare. Kjo tregon se konkurrenca potenciale mundet dhe është mirë të krijohet, por që për sa i përket barrierave strukturore dhe lekale që ekzistojnë në treg, ajo është e kufizuar dhe paraqet barrierë, raporton MIA.

Kjo është analiza e gjashtë e përgatitur nga AKE për një treg përkatës për përfundimin e thirrjeve në telefoninë celulare dhe është përgatitur në bashkëpunim me Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Në bazë të saj është marrë Vendimi për përcaktimin e M-tel si operator me fuqi të konsiderueshme tregu në tregun përkatës me shumicë të shërbimeve për përfundimin e thirrjeve në rrjetet publike të komunikimit celular në zonën gjeografike të vendit.

Me vendimin operatorit M-tel i përcaktohen detyrime për interkoneksion dhe akses, për transparencë dhe mosdiskriminim gjatë interkoneksionit apo aksesit, për kontabilitet të veçantë për interkoneksion apo akses dhe kontrollin e çmimeve dhe detyrime për llogaritjen e shpenzimeve. M-tel duhet të dorëzojë Propozim ofertë referuese për interkoneksion në pajtim me nenin 84, paragrafi 3, të Ligjit për Komunikimet Elektronike. Telekomi i Maqedonisë, A1 Maqedoni, Lajka Mobajl dhe TRD Robi, të cilët tashmë janë përcaktuar si operatorë me fuqi të konsiderueshme në treg, u vazhdohen obligimet e vendosura tashmë të cilat vlerësohen si më të përshtatshmet për të parandaluar keqpërdorimin e fuqisë së konsiderueshme ekzistuese në tregun përkatës me shumicë të shërbimeve për përfundimin e thirrjeve në rrjetet publike të komunikimit elektronik celular.

Siç shënon AKE, në analizë, vetë struktura e tregut të komunikimeve celulare shpjegon nivelin e zhvillimit të konkurrencës efektive në atë treg dhe përqendrimi i lartë i tregut tregon mungesë të konkurrencës ekzistuese.

“Barrierat strukturore për hyrjen në treg janë ato që shfaqen si rezultat i kostove fillestare të nevojshme ose kushteve të kërkesës dhe krijojnë kushte të pabarabarta ndërmjet operatorit me fuqi të konsiderueshme tregu në treg dhe operatorëve të tjerë të rrjeteve/shërbimeve të komunikimit elektronik që duan të hyjnë në treg pra vështirësojnë ose pengojnë hyrjen e pjesëmarrësve të rinj në treg. Prania e barrierave të larta dhe të përhershme për hyrjen është një pengesë kryesore për zhvillimin e konkurrencës efektive. Barriera e hyrjes është një kufizim për hyrjen në një treg përkatës që lejon operatorët ekzistues të rrisin çmimet mbi nivelin real konkurrues”, thuhet në analizë.

Në tregun e komunikimeve aktive celulare janë dy operatorë celularë të rrjetit, tre operatorë celularë virtual dhe një operator rishitës.Siç thotë AKE, të dy operatorët kanë arritur dhe po shfrytëzojnë përfitimet e ekonomive të shkallës së integrimit dhe integrimit vertikal. Ata kanë një sasi të mjaftueshme të burimeve të radiofrekuencave me të cilat mund të optimizojnë rrjetin e tyre dhe të arrijnë kosto minimale në funksionimin e tyre. Në këtë mënyrë, ata janë në gjendje të arrijnë çmime më të mira me pakicë për shërbimet celulare. Të gjitha këto privilegje nga aspekti i strukturës së tregut dhe barrierave legale, sipas AKE-së, një pjesëmarrës i ri në treg nuk do të jetë në gjendje të përdorë plotësisht ose pjesërisht. Kjo do të thotë që një operator i ri do të zotëronte një burim të kufizuar radiofrekuence për të cilin do të duhej të aplikonte për një tender publik për ta marrë atë. Kushton shumë edhe optimizimi i fushëveprimit të frekuencës dhe përdorimi i tij janë të ndërlikuara. Edhe pse mund të konkludohet se shteti ka një sasi të mjaftueshme spektri për hyrjen e një operatori të ri të rrjetit, megjithatë i gjithë procesi i vëzhguar nga natyra ligjore apo strukturore kërkon kohë, para dhe potencial njerëzor dhe energji për ta arritur këtë. Sidomos një pjesëmarrës i ri në treg nuk mund ta arrijë këtë në afat të shkurtër.

“E gjithë kjo do të thotë se konkurrenca potenciale mund dhe është mirë të krijohet, por duhet theksuar se nga aspekti i barrierave strukturore dhe ligjore që ekzistojnë në treg, ajo është e kufizuar dhe paraqet barrierë. Kjo konfirmon dominimin në treg të dy operatorëve të rrjeteve celulare SHA Telekomi i Maqedonisë dhe A1 Maqedoni SHPKNJP në tregun e komunikimeve celulare dhe veçanërisht në tregun me shumicë për shërbimet e përfundimit të thirrjeve në rrjetet publike të komunikimit celular”, thuhet në analizë.

Operatorit M-tel i janë vendosur detyrime në përputhje me Ligjin për Komunikime Elektronike dhe në bashkëpunim me Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës pas një analize.

“Si operator hibrid virtual celular, M-Tel filloi ofrimin e shërbimeve nga 1 shkurti i vitit 2022, kur filloi të kishte përdoruesit e vet. Nga analiza u konstatua se M TEL është në gjendje t’u ofrojë përdoruesve të saj shërbimin për përfundimin e një thirrje në rrjetin publik të komunikimit celular. Për më tepër, asnjë operator tjetër nuk është në gjendje të ofrojë shërbimin e përmendur përveç operatorit në rrjetin e të cilit përfundon thirrja. Duke pasur parasysh këtë, M TEL ka dominimin e vet në tregun e infrastrukturës së saj fizike ose të rrjetit të marrë me qira dhe ka dominimin e tregut për thirrjet që përfundon me përdoruesit e saj, të cilat i merr nga operatorë të tjerë celularë bazuar në marrëveshjet e ndërlidhjes që ka lidhur me ato. Duhet të merret parasysh edhe fakti që mungon konkurrenca efektive, e cila është një tregues i mjaftueshëm i ekzistencës së dominimit të tregut. Prandaj, M TEL është shpallur operator me fuqi të konsiderueshme në treg në tregun përkatës për shërbimet e terminimit të thirrjeve në rrjetet publike të komunikimit celular në territorin e Maqedonisë”, sqaron AKE për MIA-n.

Bazuar në modelimin e vet të kostos, M-tel do të propozojë çmimin me shumicë për shërbimin e përfundimit të thirrjeve në një rrjet publik komunikimi elektronik celular si një operator i plotë i rrjetit virtual. Ky çmim do të jetë i barabartë me çmimet e Telekomit të Maqedonisë dhe A1 Maqedoni deri në fund të katër viteve nga momenti kur M-tel do të hyjë në tregun e këtij vendi. Për shkak të gjithë kësaj, Mtel-it i janë vendosur detyrime për ndërlidhje dhe akses (për transparencë, për mosdiskriminim, për kontabilitet të veçantë, kontroll të çmimeve dhe detyrime të kontabilitetit dhe kostove), theksojnë nga AKE.

Niveli i depërtimit të tregut me pakicë të shërbimeve të komunikimit celular është 89,68 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2020, gjithsej 93,83 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2021, gjtihsej 105,23 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2022 dhe 104,53 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023. Penetrimi ka ardhur në rritje në tre vitet e fundit dhe është relativisht i lartë, gjë që, sipas rregullatorit, tregon ngopjen e këtij tregu përkatës, i cili për shërbimet e thirrjeve, SMS, MMS është një treg relativisht i pjekur.

“Ky nivel panetrimi mund të përfaqësojë një pengesë të konsiderueshme për zhvillimin e konkurrencës në treg, përmes hyrjes së pjesëmarrësve të rinj në treg dhe lëvizjes së saj drejt konkurrencës efektive”, thuhet në analizë.

Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, në vend janë regjistruar 1.920.403 abonentë celularë. Në numrin e përgjithshëm të abonentëve aktivë, A1 Maqedoni merr pjesë me 48,11 për qind, Telekomi i Maqedoni me 47,13 për qind, Lajka Mobajl me 2,84 për qind, Robi me 1,25 për qind, M-tel me 0,57 për qind dhe Grin Mobajl me 0,10 për qind. Në të hyrat nga ofrimi i shërbimeve të komunikimit celular në nivel me pakicë, Telekomi i Maqedonisë merr pjesë me 50,79 për qind, A1 Maqedoni me 47,12 për qind, Robi 0,89 për qind, Lajkamobajl 0,76 për qind, M-tel me 0,31 për qind… Në dy tremujorët e parë, 1 489 288 nga gjithsej 1 920 403 abonentë në telefoninë celulare kishin akses në internet përmes celularit.