Maqedoni

Opozita akuzon Qeverinë se po tenton t’i shpëtojë zyrtarët nga “Lista e zezë” Amerikane

Opozita në Maqedoninë e Veriut ka akuzuar Qeverinë e re se me tërheqjen e draft-ligjit për masat kufizuese, me të cilat parashihet që listat e zeza të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar të bëhen pjesë e sistemit juridik, synon të mbrojë zyrtarët e saj që mund të vendosen në këto lista.

Reagimet e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare vijnë pas vendimit të Qeverisë të ditës së enjte, e cila tërhoqi nga procedura parlamentare këtë propozim duke e arsyetuar me “çështje administrative”.

“Për shkak të çështjeve administrative propozim-ligji duhet të aprovohet edhe një herë nga Qeveria e re dhe më pas do të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë për Radion Evropa e Lirë.

Detaje të tjera nuk jepen përveçse asaj se propozimi do të shqyrtohet nga Qeveria në një nga seancat e ardhshme.

Draft-ligji për masat kufizuese ishte ndër të fundit që u miratua nga Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, në seancën e 16 janarit dhe më pas u dërgua në Kuvend.

Ndryshimet parashikojnë që shtetasit dhe kompanitë maqedonase që përfshihen në listat e zeza të SHBA-së dhe Britanisë së Bashkuar për shkak të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, do t’u nënshtrohen edhe sanksioneve nga autoritetet vendase.

Këto ndryshime, që ishin prezantuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 11 janar, i mundësojnë prokurorisë që të hapë çështje nëse Qeveria vendos kufizime për dikë që do të sanksionohet nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Veç kësaj, ndryshimet parashikojnë edhe largimin e përkohshëm nga detyra të zyrtarëve, pamundësimin e zgjedhjes dhe emërimit në poste ose nga ana tjetër, ndalimin e pjesëmarrjes në prokurime publike nëse bëhet fjalë për kompani vendore.

Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, e cila është pjesë e frontit opozitar, Lidhja Evropiane për Ndryshim, thotë se Qeveria e ka tërhequr propozimin për t’i “shpëtuar zyrtarët e saj që mund të vendosen në listat e zeza”.

“Me siguri se janë kalkulime pasi kanë njerëz që janë nëpër pozita apo të tjerë që janë potencial për të qenë në listën e zezë amerikane dhe në këtë situatë bëjnë pazare dhe e kanë tërhequr propozimin pasi do t’i prekë strukturat e pushtetit”, thotë Zendeli.

VMRO DPMNE-ja vlerëson se pushteti aktual, “i zhytur në korrupsion dhe krim” do të bëjë gjithçka për t’i mbrojtur zyrtarët e tij, por sipas opozitës maqedonase “ata nuk do të mund të mbrohen pas disfatës në zgjedhjet e 8 majit.

“Nga ky pushtet pritet gjithçka. Kjo Qeveri është vazhdimësi e Qeverisë më të keqe që ka pasur ndonjëherë Maqedonia [e Veriut]. Janë përpjekjet e fundit të saj për të fshehur krimin dhe korrupsionin në radhët e zyrtarëve. Asgjë nuk do t’i mbrojë ata nga përgjegjësia. Çdonjëri prej tyre do të përgjigjet për të gjitha të këqijat që i ka sjellë vendit”, thuhet në një reagim të VMRO DPMNE-së për REL-in.

Deputeti Fadil Zendeli thotë se sikur të kishte “shtet ligjor”, nuk do të kishte nevojë për miratimin e ndryshimeve të tilla, pasi sipas tij, edhe legjislacioni aktual parashikon sanksione për çdo person që bën shkelje ligjore apo përfshihet në krim dhe korrupsion.

“Këtu nuk veprojnë institucionet pasi janë thellësisht të kontrolluara nga ana e pushtetit, në veçanti prokuroria dhe gjyqësori. Ata flasin për Front Evropian apo se janë të përcaktuar për rrugën evropiane, por Fronti Evropian nuk bëhet me kapjen e sistemit dhe të shtetit siç bëjnë këta. Pra, rruga evropiane e tyre është vetëm demagogji”, shprehet Zendeli.

Vasko Naumovski, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-ambasador në SHBA, thotë për Radion Evropa e Lirës se ndryshimet e propozuara duhet të miratohen pasi do të kontribuojnë në hapjen e mundësive më të mëdha për rezultate në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Por, ai shpreh dilema nëse këto mundësi që do të krijohen me ndryshimet ligjore, do të shfrytëzohen nga ana e sistemit të drejtësisë për t’i sanksionuar ata që janë zhytur në korrupsion.

“Një nga mangësitë në institucionet tona gjyqësore, është ndikimi që ka politika mbi to dhe pamundësia për të vepruar gjyqësori pa presion nga partitë politike në pushtet. Ajo që mund të rregullojnë këto ndryshime ligjore janë pasojat negative që do të bartin individë apo personat juridikë, bazuar në rezultatet e hetimeve që kanë arritur shtetet e tjera, e theksoj jo institucionet tona”, thotë Naumovski.

Në listën e zezë amerikane ndodhen politikanë dhe biznesmenë maqedonas e shqiptarë.

Të fundit që janë vendosur në listën e personave të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA, janë: ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, biznesmeni kundërthënës, Orce Kamçev, ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Në listën e Zezë nga më herët janë edhe krytari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, në disa raste ka thënë se lista e zezë mund të zgjerohet edhe me persona të tjerë që e pengojnë sundimin e ligjit apo që dyshohen për përfshirje në veprimtari të paligjshme./REL