Maqedoni

Mexhiti: Kemi bërë ndryshime sistematike për shëndetësinë evropiane

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiiti, ka marrë pjesë sot në panelin “Mundësitë evropiane përmes modernizimit të politikave sociale, arsimore dhe shëndetësore” që mbahet në kuadër të konferencës vjetore “Viti i Mundësive Evropiane” nën organizimin e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në prezantimin e tij ai theksoi se në vitin e kaluar janë shënuar ndryshime thelbësore në shëndetësi.

“Për herë të parë kemi marrë ilaçin Trikafta. Ajo që askush nuk besonte se do të ndodhte tashmë është realitet. Nga viti i ardhshëm ilaçi do të blihet rregullisht nga Fondi i Shëndetësisë. Këto ditë shohim histori pozitive nga pacientë të cilët ndajnë kënaqësinë e tyre në rrjetet sociale. Prezantuam 6 ilaçe të reja për pacientët me sëmundje të rralla. Ne kujdesemi për të gjithë pacientët njëlloj, njerëzit me sëmundje të rralla nuk duhet të ndihen të refuzuar dhe të harruar. Një gjë për të cilën jam veçanërisht krenar është se ne kemi siguruar 650 sensorë për matje pa dhimbje të sheqerit në gjak. Fëmijët me diabet nuk do të kenë më nevojë të godasin, jeta e tyre do të jetë më e bukur dhe më e lehtë. Imagjinoni çfarë lehtësimi është për ta dhe për prindërit e tyre.”. tha Mexhiti.

Mexhiti informoi se buxheti për blerjen e pajisjeve është dyfishuar nga 2.6 në 5 milionë euro, me të cilat janë blerë pajisje mjekësore në më shumë se 15 institucione shëndetësore.

“Përmirësuam kushtet në 13 institucione shëndetësore publike. Gjithashtu, për herë të parë kemi mundësuar transportin me helikopter për rastet më urgjente. Tani do të mund të reagohet shpejt kur një pacient është në rrezik. Veçmë kishim një pacient i cili ishte transportuar me këtë mënyrë transporti, e cila rezultoi shumë efektive në aksidente në vende të paqasshme”, theksoi Mexhiti.

Në sferën e investimeve në punëtorët shëndetësorë, Mexhiti theksoi se pagat janë rritur dy herë vitin e kaluar.

“Ajo që ishte, do të thosha, lajmi kryesor, është punësimi pa afat i mbi 1100 punëtorëve mjekësor dhe jomjekësor. Prej vitesh ata që ishin të pasigurt në vendin e tyre të punës me kontratë në vepër, tashmë do të mund të aplikojnë për punësim të përhershëm. Me këtë, punëtorët shëndetësorë të punësuar po i mbajmë në shtëpi dhe kjo është e një rëndësie thelbësore për stabilitetin e sistemit”, tha Mexhiti.