Kurti në Davos takon O’Brien: Gjithmonë të bashkërenduar me SHBA-të
Pas pjesëmarrjes në panairin “Swissbau 2024”, kryeministri Albin Kurti, vijoi me agjendën e tij në Davos të Zvicrës, ku u takua me zëvendës sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit Amerikan, James C. O’Brien.
Në takim, siç njofton Qeveria, është theksuar angazhimi dhe përkushtimi për fuqizimin e bashkëpunimit e thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Biseda më tej u fokusua në aktualitetin në vend e rajon, thuhet në njoftim.
“Si partnerë dhe aleatë, jemi gjithmonë të bashkërenduar dhe në komunikim të vazhdueshëm. Zëvendës sekretari O’Brien vlerësoi përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës pavarësisht provokimeve dhe sulmeve në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar zëvendës sekretarin O’Brien për bisedën e mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./RTK