A po kërcënon Vulini: Thotë se nëse nuk mjafton KFOR-i për sigurinë e Kosovës as ‘Javelinët’ s’do të ndihmojnë
Ish-shefi i BIA-s serbe, Aleksandër Vulin ka komentuar aprovimin e ShBA-së për t’i shitur Kosovës raketat antitank ‘Javelin’.
Vulin ka thënë se nëse prania e KFOR-it nuk mjafton për sigurinë e Kosovës “as Javelinët nuk do të kryejnë punë”.
“Nëse prania e mijëra ushtarëve të KFOR-it nuk mjafton për sigurinë e Kosovës dhe Metohisë, garancitë e sigurisë të dhëna në Rezolutën 1244 dhe mbështetja e pakushtëzuar e paktit të NATO-s për shiptarët, atëherë sistemet ‘Javelin’ nuk do të ndihmojnë shumë”, tha ai, shkruan Tanjug.
Tutje, themeluesi i Lëvizjes Socialiste në Serbi tha se shitja e ‘Javelinëve’ Kosovës nënkupton që ‘lufta paqësore për ruajtjen e Serbisë konsiderohet kërcënim’.
“Por kjo është arsyeja pse shitja e ‘Javelinëve’ shtetit të rremë të Kosovës duhet t’i ndihmojë serbët që më në fund të kuptojnë se lufta jonë paqësore për ruajtjen e Serbisë së bashkuar konsiderohet një kërcënim, jo një e drejtë legjitime e vendit tonë,” tha Vulin në një deklaratë, transmeton lajmi.net
“Ata që u shesin armë terroristëve dhe flasin për paqen janë të njëjtë me ata që lëshojnë një gjarpër helmues në djepin e një fëmije dhe flasin për ekologji”, shtoi ai.