Kosovë

153 milionë euro më pak mallra serbe në Kosovë më 2023, krahasuar me 2022

Në vitin 2023, Kosova ka importuar dukshëm më pak mallra nga Serbia. Të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë se gjatë vitit të kaluar, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë 188.5 milionë euro. Krahasuar me periudhën janar – nëntor të vitit 2022 regjistrohet një rënie për 44.8%. Përgjatë kësaj kohe Kosova nga Serbia ka importuar mallra në vlerë 341.3 milionë euro.

Ndërsa në vitin 2023 vendi ka blerë nga Serbia 153 milionë euro më pak.

Sipas ekonomistëve në vend, janë disa faktorë që ndikojnë në uljen e importit nga shteti verior. Rënia ka nisur të ndihet pas muajit qershor. Në muajin qershor ndodhi rrëmbimi i tre policëve të Republikës së Kosovës prej Serbisë, që u pasuan me masa kufizuese të ndërmarra nga Prishtina ndaj importeve të Serbisë.

Por, pavarësisht shifrave të publikuara, raporti eksport-import mes dy vendeve mbetet negativ. Pra Kosova më shumë blen mallra sesa prodhon dhe shet në vende të tjera.

Sipas të dhënave, rezulton se gjatë vitit 2023 çdo ditë nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 560 mijë eurosh. Vlerë që në vitin 2023 shkonte në 1 milion brenda ditës

Ndërkohë, që importi i produkteve nga Shqipëria ishte në rritje ku vetëm për 11 muajt e vitit të kaluar u regjistrua rreth 37 milionë euro.

Vlera e produkteve nga Shqipëria, të importuara në Kosovë, është rritur për më shumë se 55 milionë euro në periudhën janar-shtator të 2023-shit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, flasin edhe për rritje të eksporteve nga Kosova në Shqipëri – nga 77 milionë euro sa ishin në periudhën janar-shtator të vitit 2022, në 82 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti.

Nga Shqipëria në Kosovë, në periudhën janar-shtator të këtij viti, kanë hyrë rreth 55 milionë euro produkte më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vlera e importeve në këta muaj ka tejkaluar shumën prej 238.9 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2022 ka qenë mbi 183 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shpjegon këtë rritje me ndalimin e produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës. Si rrjedhojë, thotë ai, bizneset e Kosovës janë orientuar nga produktet e Shqipërisë, për shkak të afërsisë gjeografike.