Maqedoni

Sadiki Shaini: Opozita shqiptare nuk mori pjesë në koordinim te Xhaferi, fillojmë me bojkot në Kuvend

Koalicioni opozitar shqiptar Lidhja Evropiane për Ndryshime me mospjesëmarrjen e sotme të rregullt te spikeri Talat Xhaferi e fillon bojkotin e punës në Kuvend, deklaroi për MIA-n koordinatorja e grupit parlamentar Safije Sadiki Shaini.

Sadiki Shaini thekson se ata do të vazhdojnë edhe me masa të tjera juridike për bojkotimin e punës së Kuvendit, nëse nuk votohet kandidati i tyre për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor – Abdush Demiri.

“Nëse pika për anëtarin tonë në KSHZ nuk votohet në seancë plenare, do ta bojkotojmë punën në Kuvend. Hapi i parë i bojkotit është mospjesëmarrje të koordinimit. Për informacion, në çdo koordinim me kryetarin e Kuvendit e kam vendosur çështjen për anëtarin tonë në KSHZ, por Talat Xhaferi çdo herë me sqarim dhe shpjegim, me një fjalë, e saboton dhe manipulon me anëtarin e opozitës shqiptare”, tha Sadiki Shaini.

Nëse vendi në KSHZ mbetet i paplotësuar, potencoi ajo, do të jemi të detyruar të përdorim masa të tjera, siç thotë, bllokimin e vendvotimeve në Tetovë dhe Çair.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ka shumë mjete ligjore me të cilat mund të bojkotojmë Kuvendin. Nëse arrihet deri aty sa KSHZ-ja mbetet e paplotësuar, gjegjësisht pa anëtarin tonë, atëherë ne jemi të detyruar të mbrojmë zërin e qytetarëve tanë dhe kjo mund të na detyrojë të përdorim metoda të tjera, si bllokimi i vendvotimeve në Tetovë dhe Çair”, theksoi Sadiki Shaini për MIA-n.