Rajon - Botë

Reagon avokati i Sanduloviqit për deklaratën e Vulinit: Ai po gënjen, po mundohet ta mbulojë Vuçiqin

Avokati i Nikola Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar se po gënjen ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, se ka dhënë urdhrin për ndalimin e kreut të Partisë Republikane të Serbisë.

Vulini po e merr përgjegjësinë për ta mbuluar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, thotë avokati serb.

Stojkoviq ka thënë se Vulini nuk mundi ta urdhëronte ndalimin e Sanduloviqit pasi udhëheqësi serb e ‘shkarkoi’ dy muaj para se kryetari i Partisë Republikane të Serbisë të vendoste lule në Prekaz.

“Vulin nuk e urdhëroi arrestimin sepse as nuk mundi ta urdhëronte – sepse Aleksandar Vuçiq i tha të jepte dorëheqjen dy muaj para se Sanduloviq të shkruante në rrjetin X për vendosjen e luleve mbi varret e shqiptarëve. Kjo është një deklaratë e dakorduar mes Aleksandar Vuçiqit dhe Aleksandar Vulinit, sepse karriera politike e Vulinit në Serbi ka përfunduar në marrëveshje me Vuçiqin, dhe tani ai mund (në mënyrë të rreme) të marrë përgjegjësinë për gjithçka që i shkakton dëm ndërkombëtar regjimit të Aleksandër Vuçiqit”, ka shkruar Stojkoviq në platformën X.

Theksojmë se opozitari serb u ndalua të mërkurën nga BIA, e cila e rrahur brutalisht deri në humbje të vetëdijes.

Klara Sanduloviq, vajza e politikanit ka pohuar se babai i saj është helmuar dhe dyshohet se kjo është bërë me agjentin nervor, Novichok.

Ndryshe, Sanduloviqi më herët ka njoftuar në platformën X se ka vizituar Prekazin dhe ka nderuar themeluesin dhe ish-udhëheqësin e UÇK-së, Adem Jasharin.

Presidenti i Partisë Republikane në Serbi, e cila është e regjistruar si parti e pakicës kombëtare hungareze, vizitoi Prishtinën në muajin shkurt të vitit 2023, ku mori pjesë në kremtimin e pavarësisë së Kosovës, me ç’rast u takua me kryeministrin Albin Kurti.