Lloga dhe Koka sigurojnë donacion për Librarinë “Nobel” në Tetovë, që u dëmtua nga zjarri në panairin e vitit të kaluar
Ministri i drejtësisë, Krenar Lloga dhe drejtori i MEPSO, Zydi Koka kanë siguruar një donacion për Librarinë “Nobel” në Tetovë, që u dëmtua nga zjarri në panairin e mbajtur në gusht të vitit të kaluar.
Lajmi për këtë donacion është komunikuar nga Libraria “Nobel”.
“Lidhur me Panairin veror të librit Tetova 2023, të organizuar nga Nobeli , që u mbajt para Pallatit të kulturës në Tetovë, ashtu sikundër tanimë jeni të informuar, u dogjën dhe u dëmtuan një numër i konsiderueshëm librash, nga shpërthimi i zjarrit, shkaqet e të cilit ende nuk na janë bërë të njohura. Rrjedhimisht, nga ky zjarr Nobeli doli me dëme financiare jo të vogla. Por, pas fatkeqësisë vjen lehtësimi, siç thotë një fjalë e urtë.
Njoftojmë dashamirët e librit dhe opinionin e gjerë publik që, në saje të përpjekjeve altruiste dhe shumë fisnike, të Ministrit të drejtësisë, z. Krenar LLoga dhe të drejtorit gjeneral të MEPSO-s, z. Zudi Koka , Nobeli ka pranuar një donacion e nga institucionet e lartpërmendura për të cilat cilin është thellësisht falënderues dhe mirënjohës ndaj titullarëve dhe institucioneve që ata udhëheqin. Pa një mbështetje të tillë, misioni iluminist i Nobelit në përhapjen e dritës së diturisë e të kulturës do të vihej në pikëpyetje, ndaj Nobeli edhe një herë shpreh falënderim e mirënjohje për titullarët e institucioneve të lartpërmendura për ndihmën bujare dhe zemërgjerësinë e treguar në një moment të vështirë për Nobelin si qendër e kulturës, artit dhe e shkencës”, njoftoi Libraria “Nobel”.(INA)