Reagon për herë të parë Drin Ahmeti: Fishekzjarrët janë blerë në mënyrë ligjore
Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, ka folur për herë të parë pasi u kap nga policia me një sasi të madhe të mjeteve piroteknike. Ai për “Skopje1″ thotë se fishekzjarrët i ka blerë në mënyrë ligjore.
Drin Ahmeti mendon se nuk ka bërë asnjë vepër penale dhe se do të përballet ligjërisht me këtë.
“Për momentin nuk do të komentoj detaje pasi hetimet dhe procedimet janë në vazhdim dhe ekipi im ligjor po punon për të. E vetmja gjë që mund të them është se mjetet piroteknike janë blerë legalisht dhe të gjitha dhuratat e tjera në makinë ishin për mbesat dhe nipërit e mi”, tha Drin Ahmeti.
Megjithatë, sipas Kodit Penal, mbajtja dhe prokurimi i lëndëve plasëse është krim. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dje ka konfirmuar se në njoftimin që MPB-ja e ka dorëzuar në Prokurorinë Publike është përmendur neni 396 i Kodit Penal.
“Nëse objekt i veprës penale është sasia e madhe e lëndëve shpërthyese të destinuara për aktivitete të lejuara argëtuese, festive dhe të tjera, kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, tha Spasovski.
Megjithatë, Prokuroria Publike do ta ketë fjalën përfundimtare nëse apo jo, Drin Ahmeti do të përgjigjet për vepër penale apo kundërvajtëse. Nga aty edhe sot nuk ndajnë detaje të reja rreth rastit, përveç se janë në pritje të ekspertizës për provat.
Nëse konstatohet se Ahmeti nuk ka kryer vepër penale, atëherë policia do të ketë mundësi të bëjë kallëzim për kundërvajtje. Ligji për shkeljet e rendit dhe qetësisë publike për përdorimin e mjeteve piroteknike parashikon gjobë nga 100 deri në 250 euro.
Drin Ahmeti u arrestua një ditë para Vitit të Ri në afërsi të pazarit të vjetër të Shkupit, ku “Tigrat” gjetën 750 copë mjete piroteknike në makinën e tij./Telegrafi/