Ekskluzive: Fatime Fetai me gjasa më të vogla për t’u bë kryeprokurore?
Në konkursin për pasardhësin e Lubomir Joveskit në pozitën e prokurorit publik shtetëror janë paraqitur tre kandidatë.
Interesim kanë shprehur Fatime Fetai nga Prokuroria e Lartë e Shkupit, Lidia Raiçeviq nga Prokuroria Publike në Shkup si dhe Lupço Kocevski nga Prokuroria Republikane.
“Në situatë kur besimi në gjyqësi është në nivelin më të ulët, ndërsa arsyet për këtë mund të tejkalohen, e shoh si sfidë të jem në krye të Prokurorisë Publik”, tha Fetai.
Mirëpo burime të portalit Lideri.mk thonë se Fetai në këtë garë futet me gjasa më të vogla për t’u zgjedhur kryeprokurore.
“Sa e shoh unë disponimin, Fetai vështirë se do të kalojë. Por ende asgjë nuk është përfundimtare”, kanë thënë për Lideri.mk burime të larta në prokurori, që insistojnë të mbeten anonime, duke shtuar se për momentin në “epërsi” janë dh kandidatët tjerë.
Ndërsa prokurori Kocevski, për të cilin opinioni nuk di shumë, thotë se me përvojën e tij mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës.
Tani pritet që Qeveria t’i dërgojë kandidatët në Këshillin e Prokurorëve Publik, pas çka pritet mendimi pozitiv ose negativ për ta.
Pas kalimit të këtij filtri, Qeveria do t’i propozojë Kuvendit një nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv nga Këshilli.
Prokurorin publik e emëron Kuvendi, me propozim të Qeverisë, me mandat gjashtë vjeçar dhe me të drejtë riemërimi. Mandati i prokurorit aktual Lubomir Joveski përfundon më 25 dhjetor të këtij viti./Lideri