Specialja ka vazhduar paraburgimin për ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli
Vendimi është marrë nga gjykatësi Charles L.Smith, i cili ka arritur në përfundim se është i pamjaftueshëm argumenti i Prokurorisë se Thaçi dhe Veseli “mund të arratisen nga drejtësia” nëse lihen të mbrohen në liri, por që ata mund ta pengojnë mbarëvajtjen e procedurave.
Paneli ka konstatuar se “ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DHS” dhe ai mund të kryejë “krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova”, thuhet ndër tjerash në vendim.
Edhe në vendimin për Veselin, thuhet se “Paneli është i bindur se ekziston rrezik se z. Veseli do të pengonte mbarëvajtjen e procedurave të DHS dhe se do të kryente krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten”.
Në parashtresën e publikuar thuhet se mbrojtja ka mundësi ta apelojë vendimin jo më larg sesa 4 janari i vitit të ardhshëm.